Po ne të tjerët? Do presim radhën për të vdekur?
Çfarë po ndodh në Greqi? Si duhet t’ia bëjmë vetes këtë pyetje? Thjesht të kënaqemi që fqinjit tonë jugor po i ndodh kjo rrëmujë, duke kujtuar historikun e marrëdhënieve tona? Jo. Personalisht do doja ta shikoj më shumë në atë se çfarë mund të mësojmë ne si shqiptarë nga ajo që po ndodh atje.
U vra vetëm një i ri, dhe shihni çfarë reagimi. Studentë, organizata, qytetarë, janë të gjithë në shesh. Dhe pavarësisht teprimeve dhe dhunës, mendoni pak çfarë do mbetet? Do mbetet një precedent. Kurrë më një qeveri nuk do guxojë të sillet ashtu me popullin grek.
Ja, kjo është vlera e protestës së tyre. Këtë duhet të mësojmë. Ndaj na përsëriten neve tragjeditë. Sepse askush nuk i vë përpara revoltës popullore dhe përpara drejtësisë, autorët e masakrave politike nga Otrantot në Gërdec.
Personalisht jam kundër dhunës, por ama jo kundër zërit të popullit. Ku është zëri i shqiptarëve këtu në Shqipëri? Pushtetarëve, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, u intereson t’i mbyllin ngjarjet e rënda dhe mos t’i zgjidhin ndonjëherë. Fundja, ata dhe familjet e tyre janë aq të mbrojtur dhe aq në mirëqenie, sa asnjëherë nuk kanë për t’u prekur direkt. Po ne të tjerët? Do presim radhën për të vdekur? Faleminderit “Shekulli” për mundësinë që jepni për të thënë diçka publikisht, si njerëz të thjeshtë që jemi. Urime dhe suksese të mëtejshme!