Nëse mburremi me NATO-n, le të bëhemi si vendet e NATO-s
Në këtë letër shtyhemi edhe nga ajo tabloja që dha vetë Kryeministri Berisha për rritjen ekonomike e financiare të vendit. Si kategori ish-kuadrosh ushtarakë, ne nuk po ndiejmë efekte nga kjo rritje që flitet, madje ndihemi të harruar. Ç’kemi bërë, ç’kemi prishur, ç’të keqe, çfarë dhunimi kemi bërë ndaj vendit e popullit, që të meritojmë një trajtim të tillë?
Politika na ka vrarë moralisht e shpirtërisht, ekonomikisht e financiarisht. Ndihemi me dinjitet të nëpërkëmbur. Nuk kemi kërkuar as më shumë as më pak nga sa na takon me ligj për shërbimin dhe punën që kemi kryer. Qeveria mburret me NATO-n. Dakord jemi. Por njihuni zotërinj me mënyrën si trajtohen ushtarakët e vendeve të NATO-s.
Njihuni me ligjet e shteteve të Lindjes, Poloni, Sllovaki, Rumani, Hungari, Bullgari, se si i trajtojnë kategorinë e ish-kuadrove ushtarake në rezervë e pension. Statusi i ushtarakut vetëm në shtetin tonë mungon. Zoti Kryeministër vetëngriti komisionin po për këtë problem, nga prilli 2006-30 qershor 2006. Ka tre vjet që tallet me ne, na fyen sikur të mos jemi qytetarë të Republikës të Shqipërisë, por si qytetarë të huaj! Ç’është ky paragjykim zotërinj? Sjellja juaj ndaj nesh ul dhe dinjitetin e shtetit tonë, siç pretendon një shtet ligjor.