E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Do të subvencionojmë transportin publik për rikthimin në normalitet të këtij shërbimi

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Qeveria do të subvencionojë transportin publik për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan në Tiranë, një tryezë me përfaqësues të shoqatave të transportit urban dhe interurban, ku në fokus ishte situata e krijuar nga rritja e çmimeve të karburanteve.

Gjatë takimit u diskutuan vështirësitë me të cilat po përballet sektori i transportit, ndërsa përfaqësuesit e operatorëve paraqitën shqetësimet mbi kostot e rritura dhe ndikimin e tyre në ofrimin e shërbimit për qytetarët.

Në përfundim të takimit, Karakaçi bëri të ditur se do të ndërhyjë me masa mbështetëse, duke subvencionuar transportin publik, me qëllim rikthimin në normalitet të këtij shërbimi jetik.

“Qeveria Shqiptare do të subvencionojë transportin publik, duke rikthyer në normalitet këtë shërbim të domosdoshëm për qytetarët”, tha ai.

Ministri theksoi se bashkëpunimi me operatorët e transportit do të vijojë, për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit dhe për të përballuar sfidat e krijuara nga luhatjet e çmimeve të karburanteve.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›