Ministria nuk e tërheq Historinë, Ramiz Alia: Faji i Berishës për ‘97, jo rebelim komunist
alma mile
“Historia është e popullit dhe askush nuk ka të drejtë që të abuzojë me të”.Ish-presidenti i vendit, z. Ramiz Alia, teksa ka ndjekur debatet e fundit mbi Historinë e Shqipërisë për klasën e 12-ë dhe atë të Enciklopedisë maqedonase shprehet se këto situata krijohen atëherë kur historia ndërtohet mbi bazën e interesave të njërës, apo tjetrës palë. Pa dashur të marrë rolin e historianit, ai thotë se nuk është aspak dakord me përcaktime si “rebelim komunist” për ngjarjet e vitit 1997. Sipas tij, aso kohe, pushteti i Berishës, ra për shkak të “krimeve të kryera nga vetë ai”.
Z. Alia, këto ditë një tekst historie për klasën e 12-ë ka rihapur debatin për ndërhyrjen e politikës në trajtimin e historisë së Shqipërisë, cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Historia është e popullit shqiptar dhe populli nuk është parti politike. Kjo do të thotë që historia duhet të pasqyrojë realitetin objektiv dhe jo mendjen e njëri, apo tjetrit, kushdo qoftë ai. Historinë nuk e bën askush sipas qejfit të vet. Është populli ai që e bën, duke punuar, duke krijuar dhe askush nuk ka të drejtë të abuzojë me të.
Cili duhet të jetë qëndrimi i institucioneve shtetërore në këtë rast?
E dëgjova deklaratën e zv/ministrit të Arsimit, i cili i justifikonte këta historianë. Ai ngrinte supat se ministria s’mund të bëjë asgjë. Ministria ka për detyrë të vendosë rregulla, në mënyrë që të mos lejojë askënd të abuzojë me historinë e popullit tonë.
Në këtë tekst ngjarjet e vitit 1997 vihen nën etiketën “rebelim komunist”, sa i drejtë është ky përfundim?
Në vitin 1997 nuk mund të flitet për komunizëm. Mund të flitet në vitet ’90, apo ’80, por jo në vitin 1997. Ngjarja e vitit 1997 nuk ishte rebelim i njerëzve, i popullit. Kur thonë “rebelim komunist”, që përdoret me kuptim negativ, ata padyshim kanë parasysh socialistët, por kjo ngjarje nuk u shkaktua nga ata, por ishte pasojë e krimit të Berishës, që shkaktoi atë ngritje të popullit. Shkaku ishin rënia e firmave piramidale dhe ngjarje të tjera, nga të cilat vuajti një popull i tërë.
E gjykoni si të drejtë gjykimin se opozita e asaj kohe shfrytëzoi kaosin për të marrë pushtetin?
Nuk është e vërtetë se opozita shfrytëzoi kaosin e krijuar për të marrë pushtetin. Pushteti i Berishës mori fund në atë kohë për shkak të krimeve që ai kreu gjatë viteve të qeverisjes të tij.
Jo më larg se disa ditë jemi përballur me një tjetër precedent, atë të falsifikimit të historisë së shqiptarëve, në Enciklopedinë maqedonase...
Kështu ndodh kur secili e trajton historinë sipas interesave të veta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Enciklopedinë maqedonase, ku shqiptarët trajtohen si kaçakë të zbritur nga veriu e që pushtuan trojet maqedonase.
Shamata: Nuk do t’i bëhet asnjë ndryshim
“Teksti i Historisë brenda standardeve s’ka ngjyrime politike”
Për Ministrinë e Arsimit teksti i Historisë 12, i përmbush të gjitha kriteret. Në të nuk do të bëhet asnjë ndryshim. “Komisioni i Miratimit të teksteve bën vlerësimin mbi bazën e dokumenteve ligjore që paraqiten. Tonet politike për tërheqjen e teksteve nuk i bëjnë nder vendit”, deklaroi dje zëvendësministri, Halit Shamata. Ai shtoi se, MASH deklaron se nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në të drejtën e autorit, e cila mbrohet me ligj, por brenda kuadrit ligjor ky dikaster ka një procedurë të miratimit të teksteve shkollore. “Ajo kalon në këto faza. Komisionet e ngritura për oponencë dhe vlerësimin e teksteve, janë përzgjedhur mes mësuesve e pedagogëve më të mirë të vendit, duke marrë mendimin e drejtorive Arsimore Rajonale, zyrave të Arsimit dhe rektorateve të Universiteteve. Ato kanë qenë tërësisht të paanshëm dhe jashtë çdo ndërhyrjeje. Fjala është për më shumë se 200 mësues e pedagogë përzgjedhës e më shumë se kaq tekste mësimore”, sqaroi Shamata. Ai pohoi se pikërisht ajo që ka munguar ka qenë ndikimi zyrtar ndaj pikëpamjeve të studiuesve, të cilët kanë qenë të lirë të thonë mendimin e tyre të pavarur, të bazuar në fakte e kritere shkencore. “Duke u ndalur te procedurat për miratimin e teksteve shkollore, sqarojmë, se për çdo grup alternativash të teksteve të paraqitura për konkurrim, janë ngritur komisione me 5 vlerësues. Në përbërjen e secilit komision, është një pedagog universiteti. Ai e vlerëson tekstin për saktësinë shkencore dhe përdorimin e modeleve shkencore-didaktike bashkëkohore. Për rastin konkret komisioni i oponencës është drejtuar nga një autoritet i fushës, njeri prej pedagogëve të shkollave të larta publike”, tha Shamata. Sipas tij, vlerësuesit kanë punuar në mjedise të izoluara dhe larg ndërhyrjeve nga përfaqësuesit e shtëpive botuese apo autorët e teksteve. Ata kanë qenë tërësisht të pavarur në gjykimet e tyre. Në fazën e dytë, sipas Shamatës, teksti vlerësohet nga Komisioni i Miratimit të Teksteve për çmimin sipas një formule të caktuar dhe në fazën e tretë për dokumentacionin ligjor të paraqitur nga shtëpia botuese. “Së fundi, gjuha e përdorur dhe përmbajtja e institucioneve nuk përbëjnë në asnjë rast argument dhe aq më tepër argument shkencor, siç pretendohet. Nuk e di se çfarë ndjesie publike shkakton fakti, që një tekst historie bëhet alibi për mos hyrjen e opozitës në Kuvend. Tonet ultimative për tërheqjen e tekstit në një kontekst më të gjerë aktual e politik, nuk i bëjnë nder askujt”, tha zv/ministri. z.ll
Dezhgiu: S’kemi frikë nga e vërteta, ’97-a e opozitës
Alma Mile
“Historiani nuk duhet të trembet të thotë të vërtetën”. Kështu shprehet prof. Dr. Muharrem Dezhgiu lidhur me Historinë e Popullit shqiptar, për klasën e 12-ë, ku ai është bashkautor. Ashtu si edhe kolegu i tij, Beqir Meta ai thekson se ngjarjet e vitit 1997 ishin rebelim komunist dhe se opozita e kohës shfrytëzoi situatën për të marrë pushtetin.
Z. Dezhgiu, teksti i Historisë për klasën e 12, ku ju jeni autor, ka ngjallur reagime dhe është quajtur i politizuar, si e shihni ju këtë cilësim?
Është e vërtetë, Historia e klasë së 12 ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Është e natyrshme që për çdo studim të ketë vërejtje, gjykime, sipas pikëpamjeve dhe formimit të njerëzve. Kështu duhet marrë në konsideratë dhe mendimi i shprehur së fundmi për këtë tekst. Duhet të dimë se bëhet fjalë për një tekst alternativ për historinë e klasës së 12-ë, miratuar nga MASH, ashtu siç janë edhe disa libra të tjerë, që i adresohen nxënësve të klasës së 12-të. Në të nuk ka asgjë personale dhe tendencioze dhe qëllimi ynë ishte të jepnim një tekst me arritje sa më të plota të zhvillimeve historike, që nga lashtësia, deri në ditët tona, duke përfshirë natyrshëm edhe periudhën postkomuniste. Teksti është në dy variante. Një për profilin natyror dhe një për atë shoqëror, që ndryshojnë nga njëri-tjetri nga hapësira e trajtimit, ndërsa thelbi është po ai. Kemi pasur si kriter që tekstet të plotësojnë kërkesat e shkollës sonë për një informim sa më shkencor, të japë njohuri për të gjitha forcat politike dhe shoqërore në vend, të së gjitha kohërave, të pasurojë me figura dhe me ngjarje, pra të jetë sa më i plotë. Mendoj se i kemi ruajtur ekuilibrat për të pasqyruar rolin, vendin dhe veprimtarinë e forcave politike, apo shtresave shoqërore që veprojnë në Shqipëri.
Periudha që ka nxitur debate është ajo bashkëkohore, cilat janë dokumentet që ju shfrytëzoni për ndërtimin e saj?
Periudha bashkëkohore është e vështirësitë për t’u trajtuar, pasi historiani ende nuk ka në dorë dokumentet e nevojshme historike. Të gjitha burimet e tjera, dëshmi, kujtime, shtypi, etj., përbëjnë një burim të dorës së dytë, por megjithatë, duke iu përmbajtur programit që nxënësit e moshës gati 20-vjeçare të informohen për periudhën më të re të historisë, që ato ngjarje që ata i kanë përjetuar t’i shohin të shtjelluara edhe në një tekst, kemi marrë parasysh dokumente, të cilat bëjnë fjalë për ngjarje dhe procese historike në këtë periudhë 20-vjeçare, vlerësime të organizmave ndërkombëtare, që kanë monitoruar jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit tonë gjatë kësaj periudhe. Kemi marrë në konsideratë dhe studimet e studiuesve të huaj që kanë shkruar për këto procese historike. Por jemi të ndërgjegjshëm, që duke qenë një periudhë kur figurat politike janë prezent dhe operojnë në forumet e ndryshme politike dhe artikulojnë këto fenomene në konkrete, parlament, etj., ka një interferim të terminologjisë që përdoret në politikën e ditës me terminologjinë e historianit. Por terminologjia që përdor ky i fundit, për të vlerësuar proceset janë më të ftohta, pa emocione, ndryshe nga vlerësimi i politikanëve. Ne jemi përpjekur të japim dhe arritjet dhe dobësitë që kanë pasur forcat politike, kur kanë qenë në pozitë dhe në opozitë dhe është e natyrshme që në kuadrin e propagandës politike, vlerësimet që jepen në tekst mund të ngacmojnë për një arsye, apo për një tjetër. Sidoqoftë koha do ta tregojë sa të drejtë kemi qenë.
Në tekstin tuaj e quani ngjarjen e vitit ’97, një rebelim komunist, ku mbështeteni në këtë përcaktim?
Disa i kanë vënë emrin kësaj ngjarjeje. Krahë të ndryshme të politikës e kanë quajtur pikërisht “rebelim komunist” dhe këtë e kanë bërë nisur nga interesat e tyre politikë, por ne si historianë, duke u nisur nga periudha në të cilën u ndodh vendi ynë në ’97-ën, i kemi dhënë këtë përcaktim mbështetur në faktet e kohës. Kemi përmendur si arsye themelore të atyre ngjarjeve shkakun e firmave piramidale, që e çuan vendin në një pakënaqësi totale dhe dëshpërim të thellë, por kjo nuk do të thotë që ky dëshpërim të kanalizohej për të shkatërruar organizmat e shtetit shqiptar, si komisariatet e policisë, zyrat e shtetit, shërbimin informativ kombëtar. Këto që janë të faktuara.
Pra, sipas jush ’97-a është vepër e opozitës së asaj kohe?
Opozita duhet të jepte kontributin e vet për mbrojtjen e shtetit, sepse çdo shtet, sado i keq të jetë është më mirë se një vend në anarki. Kjo anarki ishte e pakuptueshme edhe për botën. Dhe historianët ngrihen mbi këtë ky mentalitet. Njerëzve nuk u pëlqen t’ua thonë të drejtën në sy, qoftë pozitës, qoftë opozitës dhe historiani e ka këtë të drejtë nisur nga interesat e kombit. Është shumë e qartë për të gjithë ne, që e kemi përjetuar atë periudhë çfarë situate ndodhej vendi ynë. Kjo situatë ka si prapavijë dhe politikën, qoftë kjo në rrëmujën që u krijua nga firmat piramidale, qoftë kanalizimi i kësaj situate, për të marrë pushtetin me shkatërrim. Dhe çdo shtet që do të ndërtosh është më i mirë se ai që nuk ishte fare dhe forcat politike që mburren që ngritën shtetin pas kësaj situate, do të thotë të krahasohen me hiçin. Historiani me përgjegjësinë dhe profesionalizmin që ka, për t’i dhënë njerëzve të vërtetën bën përcaktimin e vet dhe nuk kemi pse të trembemi për t’i quajtur gjërat me emrin e vet. Në të ardhmen me daljen e dokumenteve të tjera, mund të dalin të tjera konkluzione, por hë për hë, për një pjesë të mirë të opinionit, kjo ngjarje është me këtë emër dhe historiani ka kurajën që ta thonë. Historianët që kanë hartuar këtë tekst kanë një përvojë 40-vjeçare në profesion dhe kushdo e merr si të vërtetë mendimin e tyre, pasi ai është më i specializuar sa i një tjetri që nuk merret fare me këtë punë. Ju garantoj se nuk ka asnjë ndikim politik. Nuk kemi pasur asnjë shtytje, përkundrazi, kemi bërë një vepër ashtu si e kemi menduar, si kemi analizuar dhe kuptuar këto procese historike.
Në tekstin tuaj ju e quani të mbyllur edhe çështjen e datës së çlirimit të vendit edhe pse debatet vazhdojnë...
Në tekstin tonë dita e çlirimit të vendit, është 28 Nëntori dhe këtë e kemi mbështetur në fakte historike dhe më themelori është fakti se në 28 nëntor 1944, para hotel “Dajtit”, bëhet një paradë madhështore me përfaqësuesit kryesorë të qeverisë dhe shtabit të përgjithshëm dhe në prezencën e tyre Enver Hoxha tha se: “Sot është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, (duke pasur parasysh vitin 1912) dhe dita e çlirimit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”. Një fakt i tillë është hequr nga dokumentet e kohës. Është botuar po atë ditë në buletinin e lëvizjes nacionalçlirimtare, por në një mbledhje të 9 nëntorit 1945, në një mbledhje të kryesisë së këshillit të përgjithshëm antifashist, është vendosur që të konsiderohet si festë e çlirimit, data 29 nëntor dhe jo 28. Arsyet pse ndryshoi kjo, ishin politike dhe nuk kanë lidhje me ngjarjet historike. Pas 28 nëntorit Shqipëria nuk ka pasur asnjë përleshje me okupatorët, sepse ishte deklaruar çlirimi i Shqipërisë në 28 nëntor.
Beqir Meta: ‘97-a kishte ngjyrim të majtë
Sipas historianit, prof. Dr Beqir Meta, termat e përdorur në tekstin e historisë, ku ai është autor, shprehin pikëpamjet e grupit të punës. “Nëse themi “epokë e re”, është pranuar se Shqipëria bëri një hap përpara. Zgjedhjet u pranuan nga ndërkombëtarët dhe u hapën perspektiva të reja për Shqipërinë, e cila më tej hyri në NATO, nënshkroi MSA-në, u kryen reforma. Por ne kemi pranuar gjithashtu edhe të metat e kësaj qeverie, pra kemi dhënë të dyja anët e medaljes”, - thotë ai. Ai i qëndron mendimit se ’97-a është “rebelim komunist”. “Është e njohur që protestat e vitit 1997 kanë ngjyrim të majtë. Opozita e atëhershme nuk shërbeu për të shuar revoltat, por i nxiti më tej për të marrë pushtetin”, tha Meta për “Panorama” dy ditë më parë.
PS: Qeveria po politizon historinë
Debati mbi hartimin e tekstit të Historisë 12, u hap dy ditë më parë, kur Partia Socialiste denoncoi botimin e teksteve ku në mënyrë flagrante po politizohet historia e Shqipërisë. Deputetja Ledi Shamku Shkreli akuzoi qeverinë se në shkelje me ligjin po ndikon në edukimin politik të brezit të ri. Sipas saj, PS kërkon tërheqjen nga shkollat të librit të Historisë 12, dhe falje publike të autorëve që kanë hartuar këtë tekst. “Sali Berisha do të vendosë sërish diktaturën në Shqipëri. Libri i Historisë së gjimnazit këtë vit dëfton sesi studiuesit karagjozë të këtij diktatori po u vjedhin shqiptarëve historinë, duke i sajuar faktet e tranzicionit ashtu siç i do oreksi i sulltanit më të ri të Shqipërisë”, u shpreh Shamku.
Fraza nga libri
Opozita, duke shfrytëzuar edhe tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike. Vetëm një pjesë e vogël e vendit mbeti nën ndikimin e qeverisë.
Presidenti i vendit u zgjodh Rexhep Mejdani, socialist. Shqipëria po ecte me hapa të ngadalshme ekonomike dhe politike. Opozita demokratike po e merrte veten pas atij sulmi të egër që kishte pësuar në vitin 1997. Ethet për ta çuar vendin në kaos të përsëritur dukeshin sheshit. Kështu, një vit më vonë, në 12 shtator 1998, u vra deputeti demokrat Azem Hajdari, vrasje e cila çoi në ngjarjet e shtatorit 1998, që mori pamjen e një grushti shteti...”
Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Asociim Stabilizimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit.
Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë.