E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karamele për të gjithë - numërimi elektronik, edhe teknologjia ka ndërgjegje dhe moral

03-12-2011 / Gazeta 55

Fshesa në Kryesi dhe Sekretariat, reagon ish-Sekretari për Programin Politik, Andis Harasani


Ish-sekretari për Programin Politik në PS, Andis Harasani ironizon zgjedhjen e Kryesisë dhe Sekretariatit, ndërsa s’vonoi ta cilësojë procesin si farsë të radhës të kryesocialistit. Deputeti Harasani, ish sekretar për Programin Politik në PS, dje s’ishte pjesë e asnjë prej listave të Kryesisë dhe Sekretariatit, ndërsa i ishte rezervuar vendi në grupin e punës për programin politik (diçka krejt e pavlerë dhe e papërfillshme). Vetëm pak orë pas votimit në asamble, Harasani reagon përmes profilit të tij në rrjetin social Facebook, duke i quajtur rezultatet e zhvillimeve të djeshme si “karamele për të gjithë”. Harasani hedh dyshime të forta rreth mënyrës se si ishte ndërtuar lista e anëtarëve të ardhshëm të Kryesisë dhe Sekretariatit, ku një pjesë e mirë e figurave të rëndësishme të PS, ishin lënë jashtë preferencave të kryesocialistit. Gjithashtu, deputeti socialist ironizoi edhe numërimin elektronik të votave, i cili rezultoi një eksperiment i dështuar. Sipas z.Harasani, maskarada që prodhoi Kryesinë dhe Sekretariatin, ishte aq e pamoralshme sa s’e pranoi as elektronika. “Edhe elektronika e ka një minimum ndërgjegje dhe morali”- shkruan Harasani nga statusi i tij në rrjetin social Facebook. Në fakt, as më shumë e as më pak, por votimi i djeshëm, i supozuar, për Kryesinë dhe Sekretariatin, jo vetëm që katranosi votën e lirë të anëtarëve të asamblesë, por njëherazi rezultoi edhe një eksperiment i dështuar, duke nxjerrë bllof mburrjen e Ramës për votim dhe numërim elektronik. Vetëm pak minuta pas fillimit të procesit, elektronika doli jashtë përdorimit, ndërsa komisionerët iu rikthyen zanatit të vjetër, të numërimit praktik. Edhe kjo, shërbeu për të kryer formalitetin e radhës, pasi në kushtet e mungesës së transparencës, të bën të mendosh se llogaritja e votave po bëhej në zyrën e kryesocialistit Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›