Karamelet e Ramës, Harasani refuzon propozimin
Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani nuk do të pranojë postin e dhënë dje nga Asambleja Kombëtare e kësaj partie. Një fakt i tillë u bë i ditur sot nga vetë deputeti Harasani, i cili në një mesazh të shkurtër në rrjetin social “Facebook” informoi se për shkak të planeve të tjera që ka, nuk mund të pranojë detyrën në PS. “Të dashur miq, për arsye të planeve të tjera, duke falënderuar për besimin nuk mund ta pranoj detyrën e ofruar nga ana e Asamblesë së PS-së. I uroj suksese të gjithë të votuarve”- citohet në adresën personale të deputetit socialist.
Në punimet e e djeshme të Asamblesë Kombëtare, deputeti Harasani u propozua nga kreu i PS-së, Edi Rama në krye të Grupit të Punës për Energjinë, bashkë me 20 deputetë dhe përfaqësues të kësaj partie në grupet e tjera.
Më herët, Harasani ka qenë pjesë e Kryesisë së PS-së në postin e Sekretarit për Programin Politik, post i cili dje me zgjedhjet e reja që u zhvilluan për zgjedhjen e Kryesisë dhe Sekretariatit, iu dha ish-deputetit socialist, Ilir Beqja.