E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamelo: Minoriteti, palët po tentojnë të mbysin njëra-tjetrën

Debatet brenda OMONIA-s nxisin reagimet e partive të tjera që përfaqësojnë minoritetin. Kryetari i Lëvizjes për të Drejtat e Liritë e Njeriut, Ligoraq Karamelo, i komenton problemet e përfaqësimit politik të minoritetit etnik grek si të shumta në formë dhe në përmbajtje. "Ato kulmuan pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, duke e futur këtë proces në një katrahurë e amulli të vërtetë, ku palët po përpiqen të "mbysin" njëri-tjetrin e të marrin "meritat" e fitimtarit. Duhet ta pranojmë se kriza e përfaqësimit të minoritetit etnik grek është në dëm jo vetëm të interesave të minoritetit, por edhe të mbarë shoqërisë sonë", thotë ai. Karamelo, tetë vjet deputet i PBDNJ-së në Kuvend në vitet 1997-2005 dhe tashmë kryetar i LDLNJ-së, thotë se "është për të ardhur keq që askush nga të zgjedhurit që përfituan dhe përfitojnë poste në emër të minoritetit nuk japin llogari se si e ka justifikuar atë post, por vetëm kërkojnë të krijojnë hapësira për të dominuar, për të siguruar si postet drejtuese ashtu edhe ato qeveritare". Karamelo cilëson si fajtor të kësaj përçarje Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. "Fajtori kryesor mbetet lidershipi aktual i PBDNJ-së, i cili është krijuesi, gjeneruesi dhe intriguesi i krijimit të kësaj klime mosbesuese, përçarëse, denigruese e çoroditëse, që mbizotëron sot te të gjithë faktorët në minoritetin etnik grek", tha ai. Sipas tij, monopolizimi, nga ana e PBDNJ-së dhe OMONIA-s, mosrespektimi i statutit janë disa nga faktorët shkaktarë të situatës aktuale. "Këto ne i kemi thënë me kohë, para pesë vjetëve, por askush nuk na dëgjoi. Madje është për të ardhur keq, që të gjithë ata që sot janë ngritur kundër lidershipit të PBDNJ-së e drejtuesve të OMONIA-s e që ankohen pse janë përjashtuar, që prishin e thyejnë çelësa për të zaptuar zyra, që japin leksione demokracie e referojnë nga karriget e pushtetit, deri dje e mbështesnin lidershipin aktual edhe pse ai gabonte", tha Karamelo.

Ai theksoi se OMONIA nuk duhet ngatërruar me partitë e me individë që ndryshojnë uniforma partish. "Ajo i përket minoritetit etnik grek dhe asnjë partie politike. Prandaj, kjo organizatë ka nevojë që t‘u përshtatet kushteve aktuale, pra duhet të reformohet, të rikonceptohet e riorganizohet në bazë të tyre, duke paraqitur një program të ri e një statut bashkëkohor", tha ai.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›