E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç del para gjykatësit në Hagë

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ka bërë paraqitjen e parë në Gjykatën e Hagës. Gjykatësi e pyeti Karaxhiçin nëse e kuptonte procedurën dhe tha se ai kishte të drejtë edhe të mos fliste. Zoti Karaxhiç tha se kuptonte. Karaxhiçi tha se kishte vendosur të vetëmbrohej në seancën e parë, megjithëse tha se kishte një këshilltar të padukshëm. Mbi z. Karaxhiç aktualisht rëndojnë 11 akuza për krime lufte, nga persekutimi, tek gjenocidi. Ai u ekstradua të mërkurën për në Hagë nga një burg në Beogradi ku mbahej që pas arrestimit mbi 10 ditë më parë. Karaxhiçi po mbahet në një qeli me përmasa pesë metra me tre, në një burg të OKB-së që ndodhet vetëm pak km larg nga gjykata për Krime Lufte, ku do të paraqitet më vonë gjatë ditës. Dalja e Radovan Karaxhiçit para Gjykatës për Krime Lufte do të jetë një moment kyç për Serbinë. Për vite të tëra vendi është akuzuar se nuk kishte bërë sa duhet për ta gjetur njeriun, i cili, siç thotë korrespondentja e BBC-së në Beograd, shihet nga shumë serbë si hero lufte. Mosarrestimi i Karaxhiçit çoi në bllokimin e përpjekjes së Serbisë për anëtarësim në BE. Arrestimi dhe ekstradimi i ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës shihet si arritje e madhe e qeverisë pro-perëndimore të Serbisë, por për BE-në edhe kaq nuk mjafton. Mbi vendin tani po shtohet presioni për të kapur dy të kërkuarit e mbetur për krime lufte që janë ende në arrati: mes tyre dhe komandantin e kohës së luftës, Ratko Mlladiç. Që nga arrestimi i z. Karaxhiç, Serbia është magjepsur me hollësirat e jetës së dyfishtë që bënte ai në arrati. Duke punuar si specialist në mjekësinë alternative në Beograd, ai zgjati flokët dhe mjekrën për të mos u njohur. Pas arrestimit, thuhet se ka prerë flokët dhe është rruar. Kur Radovan Karaxhiçi të dalë për herë të parë pas më shumë se një dhjetëvjeçari para publikut, shumë do të presin për të parë se si duket tani. Familjes së z. Karaxhiç iu rikthyen dokumentet e udhëtimit që iu ishin konfiskuar në muajin janar me dyshimin se po ndihmonin z. Karaxhiç në arrati. Tani ata mund ta vizitojnë z. Karaxhiç në Hagë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›