Meta: Rama të bëjë autokritikë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i kërkon kreut të PS-së, Edi Rama, që të bëjë autokritikë. Në një takim me anëtarë të LSI-s[ në Selitë, Meta i ktheu dje përgjigje Edi Ramës mbi zgjedhjet në komunën e Kasharit. Sipas tij, Rama është kontradiktor në atë që tha, por nëse beson në atë tha që për kreun e mazhorancën, atëherë duhet të bëjë autokritikë. “Unë vërtet jam çuditur kur kam dëgjuar pas 72 orësh kryetarin e PS-së, i cili foli në mënyrë të papërgjegjshme dhe tepër kontradiktore për një ngjarje që duhet analizuar me përgjegjësi dhe me seriozitet. Së pari, duke u bashkuar me të për shqetësimin që ngriti për sa u takon problemeve që kishin zgjedhjet edhe në komunën e Kasharit, - tha Meta, - unë dëshiroj që ta ftoja edhe një herë publikisht mikun tim Edi Rama që të mos vazhdojë më të ushqejë iluzione për veten e tij. Nëse ka vërtet ato mendime për Sali Berishën, atëherë ai duhet të bëjë një autokritikë të madhe për të gjitha pushtetet që i dha Sali Berishës në natën e 21 prillit, pa pyetur deputetët e tij, partinë e tij”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Edhe pse zgjedhjet në komunën e Kasharit tashmë kanë marrë fund, me një fitore të së djathtës, debati për rezultatin nuk ka marrë ende fund mes partive të majta. Renditja e tyre, përkatësisht LSI-ja në vendin e dytë dhe PS-ja e fundit, ka sjellë replika mes dy liderëve. Kështu LSI-ja e konsideroi renditjen e dyta si të suksesshme duke deklaruar se Kashari tregoi renditjen e vërtetë të forcave politike të së majtës, deklaratë të cilën Rama e vlerësoi të papërgjegjshme dhe të nxituar. Dy ditë më parë, Rama tha se të dalësh dhe të deklarosh se zgjedhjet në Kashar treguan renditjen reale të partive politike, do të thotë që Meta nuk njeh realitetin dhe nuk ka respekt për veten. Madje Rama sfidoi ish-aleatin e tij duke u shprehur se forcën do t’ia tregojë në zgjedhjet e 2009-ës. Nga ana tjetër, për të shuar komentet negative ndaj kësaj humbje të rëndë që pësoi PS-ja në Kashar, Rama vlerësoi se gara në këto zgjedhje ishte lokale dhe s’mund të tregojë asnjëherë peshën reale të partive. Pavarësisht se pak ditë më parë numri dy i grupit kuvendor Braçe e pranoi hapur humbjen në Kashar, Rama nuk e artikuloi asnjëherë një fakt të tillë, duke u munduar të zvogëlojë në fakt pasojat e kësaj gare. Kështu, Kashari i largon akoma më shumë dy partitë pasi gjatë ditëve të fundit ishin dhënë sinjale bashkëpunimi mes tyre, të paktën nga ana e LSI-së e cila ka kërkuar dialog me PS-në për reformën zgjedhore.
Kodheli: Meta me Kasharin si Haxhi Qamili me Sharrën
Menjëherë pas deklaratës së Ilir Metës në adresë të kreut të PS-së Rama për zgjedhjet në Kashar, selia rozë reagoi përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli. Në emër të Ramës, Kodheli i kërkoi kreu të LSI-së që të heqë dorë nga akuzat vulgare në adresë të PS-së dhe të kreut të saj, Edi Rama. Sipas Kodhelit, akuza të tilla nuk e rrisin politikisht Ilir Metën. “Ilir Meta duhet të heqë dorë nga akuzat vulgare në adresë të PSSH-së dhe Edi Ramës, jo vetëm sepse rrugët tona me Sali Berishën kanë qenë dhe janë të ndara qartë, por edhe se është në të mirën e Ilir Metës ta kuptojë se nuk rritet dot politikisht as duke gjuajtur me gurët e politikës së vjetër mbi PSSH-në e mbi Edi Ramën”, - tha Kodheli. Nga ana tjetër PS-ja deklaroi se edhe rezultati i arritur në Kashar nuk ndikon në rritjen politike të kreut të LSI-së dhe partisë së tij edhe pse ai po i jep dimensione të mëdha. “As duke bërë me Kasharin si dikur Haxhi Qamili që tha: “Sa të kem Sharrën s’pyes për Anglinë e Francën!”, - theksoi Kodheli. Pavarësisht rezultatit, PS-ja nuk ka bërë ende një analizë lidhur me arsyet që çuan në renditjen i fundit i kandidatit të saj Sinan Egra.