E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna në bazë, koordinatorët raportojnë te Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, thirri dje në mbledhje koordinatorët e PS-së në 12 qarqet e vendit. Mbyllja e axhendës së PS-së janar-qershor, si dhe detyrat që duhet të përmbushin në vazhdim ishte pika kryesore e takimit mes kryetarit Rama dhe koordinatorëve të qarqeve në të gjithë vendin. Burime nga mbledhja thanë se koordinatorët raportuan mbi punën e kryer ne bazë për gjashtë muajt e kaluar si dhe kanë marrë detyrat për muajt në vazhdim. PS-ja tashmë është përfshirë nga ethet elektorale. Në axhendën e miratuar qysh në fillim të muajit korrik nga Asambleja Kombëtare janë përcaktuar qartë detyrat e strukturave të Partisë Socialiste për përgatitjen e zgjedhjeve të 2009-ës. Një prej pikave kryesore të kësaj axhende është përcaktimi i kritereve që duhet të kenë kandidatët për deputetë si ekip përfaqësues i kësaj partie në garën elektorale të 2009.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i PS-së në mbledhjen e AK-së dha një mesazh të qartë. Ai u bëri të ditur anëtarëve të saj se në krye të listave për deputetë do të jenë figura të spikatura të qarqeve, duke lënë të nënkuptuar se shansin më të madh për këtë do ta kenë figura të reja të PS-së. Deklarata e Ramës ishte mesazh kryesisht për figura të vjetra të PS-së dhe ata që kanë shumë mandate si deputetë. Në PS tashmë nuk përjashtohet fakti që edhe kreu i saj mund të kandidojë për deputet. Kjo është paralajmëruar në këtë mbledhje kur ka pohuar se edhe ai vetë nuk do të ishte në krye të këtyre listave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›