Oketa: Rruga e Shqipërisë drejt NATO-s nuk ka kthim prapa
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, mendon se nuk ka kthim prapa në rrugën e integrimit të vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut pavarësisht kritikave që vijnë. Ai ka sqaruar dje momentin ku ndodhet vendi ynë në ecurinë e reformave për të bërë të mundur këtë anëtarësim. Deklarata e Oketës vjen pas publikimit në disa media të kritikave shumë të forta të një diplomati amerikan në ambasadën e SHBA-së në Tiranë ndaj mënyrës se si po ecin reformat në këtë drejtim. Oketa ka deklaruar se tashmë procesi integrimit në NATO nuk ka më kthim mbrapa dhe se “Shqipëria është e vendosur të arrijë qëllimin e saj për të qenë së bashku me vendet e tjera të Aleancës”. Ministri i Mbrojtjes ka pranuar faktin se anëtarësimi i vendit drejt Bashkimit Evropian është një proces i cili ka vështirësitë e tij dhe sipas tij, “sigurisht që ka kosto”. Por, këto kosto nuk janë të pakapërcyeshme për ministrin, i cili është shprehur i bindur se “vendi do të dijë t’i përballojë”. Ai ka vetëm pak muaj në postin e ministrit të Mbrojtjes dhe ishte i pranishëm në samitin e NATO-s në Bukuresht ku u miratua dhe ftesa për anëtarësim e Shqipërisë. Duke pasur parasysh këtë ftesë dhe nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit vetëm para pak javësh në Bruksel, Oketa tha se “tashmë Shqipëria ka hyrë në një rrugë reformash për të cilat do të bëjë të pamundurën që t’i realizojë deri në fund”. Duke garantuar në një farë mënyre kritizerin amerikan ai ka theksuar se “do të dimë të mbajmë ritmin e reformave” . Sipas diplomatit amerikan që citonin mediat vizive dje Shqipëria rrezikon të mos bëhet brenda këtij viti anëtare me të drejta të plota në NATO për shkak të shqetësimeve serioze të disa kancelarive perëndimore dhe veçanërisht të SHBA-së rreth deformimeve që po ndodhin në jetën e institucioneve demokratike në vend. Diplomati që mbetej anonim kishte hedhur kritika të forta për marrëdhëniet e krijuara nga mazhoranca aktuale me institucione të tjera si Presidenti, Prokuroria dhe përfaqësitë diplomatike në vend.