E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Rikthim në qeveri, ose ikim nga koalicioni

Demokristianët i vënë kusht Kryeministrit Sali Berisha që të rikthejë PDK-në në shtator në qeveri, në të kundërt, do të ikin nga koalicioni. Duke akuzuar drejtuesit e PD-së për përjashtimin nga ekzekutivi, ish-ministri Nard Ndoka, vuri në dukje se Kryeministri Berisha i bëri ndryshimet në qeveri nën shantazhin politik për sa i përket tragjedisë së Gërdecit. Kryetari demokristian mblodhi dje këshillin kombëtar të partisë i cili analizoi momentin e largimit të PDK-së nga qeveria dhe arsyet pse çuan në këtë vendim. Këshilli kombëtar i PDK-së miratoi edhe një rezolutë e cila nuk e sheh partinë jashtë mazhorancës, të paktën deri në shtator ndërsa i bëhet thirrje Kryeministrit për përfshirjen e kësaj force në qeverisje. Kryetari Ndoka e quajti të njëanshëm vendimin e Berishës për largimin e PDK-së nga qeveria, në shkelje të hapur të marrëveshjes së nënshkruar midis dy partive, PDK-së dhe PD-së për të bashkëqeverisur. “Për ne nuk ishte i papritur, edhe pse është i pamotivuar dhe dëmton rëndë interesat politike të mazhorancës së djathtë dhe qeverisjen e saj”, - tha z.Ndoka. Kundrejt kritikave të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë, ku sektorin e shëndetësisë e cilësoi si më të korruptuarin, ish-ministri Ndoka u kundërpërgjigj se ka pasur arritje të patjetërsueshme dhe bashkëpunim të pandërprerë me institucionet homologe të Perëndimit. Por, sipas Ndokës, “pavarësisht këtyre arritjeve në të gjitha nivelet, PDK-ja dhe përfaqësuesit e saj në qeverisje, u vunë në shënjestër të sulmeve dhe të skenarëve nga më të papranueshmit dhe, në punën tonë, ne na u desh të përballojmë pengesa të vazhdueshme të krijuara artificialisht nga partnerët tanë në qeverisje”. “Kjo luftë e gjatë dhe primitive, - shtoi Ndoka, - u finalizua me ndryshimet e fundit në qeveri, ku PDK-ja u la jashtë qeverisjes, ndërsa u kthyen në qeverisje forca politike që kanë probleme me ligjin dhe që duhet të përgjigjen para drejtësisë për tragjedinë e Gërdecit”. “Ne, kur nënshkruam marrëveshjen me PD-në, nuk e nënshkruam thjesht që të merrnim si shpërblim disa karrige të larta zyrtare, përshirë këtu edhe një post ministri. Ne kemi besuar dhe besojmë se përfshirja e PDK-së në qeverisje ishte në të mirë të mazhorancës së dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut, ishte në të mirë të qeverisjes, në të mirë të reformave, që kjo mazhorancë kishte marrë përsipër të kryente, në të mirë të qytetarëve”, - deklaroi Ndoka. Ai vuri në dukje se PDK-ja ka pritur dhe pret që Partia Demokratike dhe Kryeministri të reflektojnë dhe të heqin dorë nga strategjia e përçarjes së të djathtës dhe të rishikojnë marrëdhëniet e veta me PDK-në. Për këtë, Ndoka shtoi se nxjerrja e PDK-së nga qeverisja vë në pikëpyetje fitoren e kësaj mazhorance vitin që vjen dhe kthen në pushtet një opozitë të çorganizuar, të përçarë, të përfshirë nga konfliktet dhe lufta e brendshme, një opozitë që nuk ka çfarë t’u ofrojë shqiptarëve.

Turizmi, Berisha takon grupin e kompanive ORASCOM

Kryeministri Berisha priti dje një përfaqësi nga grupi i kompanive ORASCOM, të fokusuar në zhvillimin e turizmit dhe hotelerisë. Grupi përfaqësohej nga drejtori ekzekutiv dhe kryetari i bordit, Samih Sawiris. Përfaqësuesit e grupit ORASCOM prezantuan tek Kryeministri Berisha disa projekt-ide për zhvillimin e turizmit. Projektet parashikojnë ndërtimin e qyteteve turistike, komplekse hotelesh dhe njëkohësisht menaxhimin e tyre. Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e ORASCOM-it për projekt-propozimet dhe paraqiti tek ata situatën e investimeve në Shqipëri dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit në vend. Kryeministri Berisha u garantoi investitorëve lehtësi administrative dhe mbështetje ligjore për këto projekte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›