E Diel, 1 Nëntor 2026

Karaxhiç fshihej me identitetin e luftëtarit të vrarë



Dragan Dabiç, ka vdekur në Sarajevë më 1993 dhe ka qenë luftëtar serb. Radovan Karaxhiç u maskua për 12 vjet pas emrit të tij dhe lajmi u bë i ditur nga Prokuroria serbe e cila nisi hetimet për identitetin e vërtetë të Dabiç. Dragan Dabiç ishte një civil i vrarë nga trupat e Karaxhiç gjatë pushtimit të këtij qyteti. Në fakt me emrin Dragan Dabiç kanë ekzistuar disa persona në Sarajeve në atë kohë. Gjithësej 7 dragan Dabica janë të regjistruar në Sarajevë, disa janë gjallë disa kanë vdekur ka thënë zëdhënësi i prokurorisë serbe Vekariç për AP. Pasaportën false me këtë emër, Karaxhiçi siguroi gjatë regjimit të Milosheviçit kur ai ishte ende në pushtet para tetorit 2000 kur ai u rrëzua nga posti. Karaxhiçit i është rikthyer identiteti i tij, i është rruajtur mjekra dhe qethur flokët duke pritur ekstradimin për në Hagë. Pas arrestimit të shumëpritur të kriminelit të luftës Radovan Karaxhiç nuk kanë munguar supozimet se si u bë e mundur kapja e tij për t’u përballuar me drejtësinë pas 12 vjetësh. Ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç është shprehur për gazetën e Beogradit “Press” se Karaxhiç, për vite me rradhë është mbrojtur nga shërbimi i fshëhtë dhe po ky shërbim e dorëzoi më në fund. Koalicioni i ri qeveritar serb, javën e kaluar caktoi një drejtor të ri të shërbimit të fshehtë. Daçiç është kryetar i Partisë Socialiste, partnere e forcave proeuropiane në Serbi që prej fillimit të këtij muaji. Dorëzimi i Karaxhiç mund të ketë ardhur nga tradhëtia e njeriut të tij më besnik, gjenerali Ratko Mlladiç po ashtu i shpallur në kërkim i cili ka informuar hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Ai nuk ka hezituar të japë lajme për Karaxhiç në mënyrë që të vononte arresimin e tij. Ky lajm është bërë i ditur nga gazeta angleze “Telegraph” e cila i referohet burimeve nga shërbimet e inteligjencës gjermane. Tradhtia e Mlladiçit ndaj Karaxhiç sipas “Telegraph” ka rritur presionin e Ndërkombëtarëve ndaj Serbisë për të arrestuar edhe gjeneralin dhe se kjo pritet të ndodhë brenda pak javësh meqë mbështetja politike e Mlladiç ka rënë. Një burim i ngushtë nga shërbimet e jashtme të inteligjencës gjermane, BND,- ka thënë për “Telegraph” - se Mlladiç negocioi me ata që donin t’a arrestonin duke u dhënë atyre informacionin se ku ndodhej Karaxhiç për të shpëtuar veten e tij”. Dëshira e Mlladiç është që të gjykohet në Beograd pasi aty shihet si hero, dhe jo në Hagë ku pritet të ekstradohet Karaxhiç i cili po mundohet të shtyjë deri në momentin e fundit ekstradimin duke pritur afatin e fundit ligjor për dorëzimin e ankesës kundër këtij ekstradimi. “Telegraph” shkruan se arrestimi i Mlladiç pritej të ndodhte më herët se arrestimi i Karaxhiç. Ndërsa Karaxhiç, mbrohej nga zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës serbe, Mlladiç mbrohet edhe nga një pjesë e mirë e ushtrisë serbe. Kjo shpjegon dhe arsyen se dorëzimi i Mlladiçit është më i vështirë sesa ai i Karaxhiç, pasi shërbimet e inteligjencës serbe janë më shumë nën hijen e qeverisë serbe të Presidentit proeurupian Boris Tadiç e cila aspiron të hyjë në BE.

Serbia rikthen ambasadorët në vendet një njohën Kosovën

Qeveria serbe vendosi dje rikthimin e ambasadorëve të saj në të gjitha vendet e Bashkimit Europian që e kanë njohur shtetin e Kosovës. “Vlerësoj se vendimi për kthimin e ambasadorëve në vendet e BE-së do të forcojë pozitën tonë diplomatike dhe raportet tona me këto vende”,- u shpreh ministri i mjedisit, Oliver Duliç. Serbia tërhoqi ambasadorët nga të gjitha vendet që pranuan shtetin e Kosovës. Kjo ishte një ndër masat e paralëjmëruara nga shteti serb ndaj kujdo shteti qe do njihte pavarësinë e Kosovës. Me rikthimin e ambasadorëve, Serbia duket se ka reflektuar gjatë, pavarësisht kundërshtive të opozitës, të cilët pretendonin se me kthimin e ambasadorëve vetëm një hap i ndan nga njohja e shtetit të pavarur të Kosovës. Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç disa ditë me parë deklaroi se Serbia do të kthente diplomatët e saj në shtetet që njohën pavarësine e Kosovës. Një vendim i tillë vjen pas deklaratave inkurajuese që janë bërë në adresë të qëverisë serbe pas arrestimit të Radovan Karaxhiç.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›