E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Sigurimit të OKB-së mblidhet për Kosovën



Shefi i ri i UNMIK-ut Lamberto Zanieri pritet të raportojë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë. Në seancën e KS-së do të diskutohet rreth raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në këtë mbledhje do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni. Gjatë qëndrimit në selinë e OKB-së, ministri Hyseni po ashtu do të zhvillojë një varg takimesh me përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës, për të lobuar për njohjen e Republikës së Kosovës nga sa më shumë shtete. I pranishëm nga autoritetet serbe do të jetë ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç.

UNMIK nuk lëshon më dokumente udhëtimi

Administrata e OKB së në Kosovë ka njoftuar se ka ndërprerë pajisjen me dokumenta udhëtimi të UNMIK-ut. “Pas vendimit të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, më 14 korrik, sipas të cilit pasaportat e Republikës së Kosovës do të fillojnë t’u lëshohen qytetarëve gjatë këtij muaji, UNMIK-u ka vlerësuar se de facto do të ishte e pamundur të vazhdohet me lëshimin e dokumenteve të udhëtimit nga UNMIK-u”,- thuhet në komunikatën e UNMIK ut. Ky vendim nuk prek vlefshmërinë e dokumenteve të udhëtimit që janë në qarkullim. Ndërkohë pasaportat e raja të Kosovës do të njihen nga shumë vende që e kanë njohur pavarësinë e saj por edhe nga Mali i dhe Maqedonia të cilat nuk kanë dalë me një qëndrim të vendosur për njohjen e shtetit të ri megjithatë kanë pranuar pasaportat e reja.

Rupel: “Kosova, sfida më e madhe e presidencës sllovene”

Shefi i diplomacisë sllovene Dimitrij Rupel është shprehur se Kosova ka qenë sfida më e madhe e presidencës sllovene me Bashkimin Europian. “Megjithë pikëpamjet e ndryshme të disa shteteve anëtare në lidhje me pavarësinë, Sllovenia si kryesuese ia doli të arrijë unitetin e BE-së sa i përket synimeve kryesore të politikës së ardhshme europiane”,- ka thënë Rupel në Lubjanë. Ministri slloven ka theksuar se “Kosovën deri tani e kanë njohur njëzet shtete anëtare të BE-së”, dhe “megjithë qëndrimin e vendosur rreth Kosovës, Serbia ka treguar një masë të madhe të përgjegjësisë”. Sllovenia edhe më herët u premtoi autoriteteve kosovare se do të jepte ndihmën e saj për pavarësinë e shtetit të ri por edhe në njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera. Ndërkohë presidencën e rradhës së Bashkimit Europian e ka Franca e cila është përqëndruar në çështje të tjera të rëndësishme.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›