Zbardhen marrëveshjet, dy propozime për hartën e Shqipërisë së vitit 1919
Vijon nga numri i kaluar
Në numrin e kaluar gazeta “Albania” publikoi gjysmën e planit amerikan për Shqipërinë. Edhe në këtë numër vijon paraqitja e këtij plani ku parashikohet krijimi i shtetit shqiptar, ngritja e një komisioni të posaçëm dhe si do të ndërtohen institucionet e tij. Më poshtë, “The New York Times” publikoi edhe planin franko-britanik.
Plani amerikan për Shqipërinë
UASHINGTON – (4) – Komisioni do të emërojë menjëherë një përfaqësues të qeverisë italiane, një përfaqësues të Lidhjes së Kombeve dhe një përfaqësues të shtetit shqiptar që do të përcaktohen nga fuqitë aleate kryesore dhe të tjerat për qëllimin e shtrimit, (a) të kushteve të mandatit që do ti jepet Italisë ndaj Shqipërisë, dhe (b), organizimin e shtetit të ardhshëm shqiptar. Ky komision do të përfundojë punën e tij brenda 5 muajsh, që nga dita e firmosje së kësaj konvente dhe do të parashtrojë një raport pas saj me rekomandimet e nevojshme për Këshillin e Lidhjes së Kombeve. Vendimi përfundimtar, me kushtet e mandatimit dhe organizimi i saj do të hidhen në Këshillin e Lidhjes për tu votuar me shumicë.
(5) Komisioni i paralajmëruar në pikën e Konventës, do të shërbejë si bazë e kujdesshme e tij, jo vetëm për mendimet rreth asaj që është konturuar, por edhe për zbatimin e parimeve të tij:
(A) Liri ndërgjegje dhe lëvizje; liri për ushtrimin e të gjitha llojeve të besimit, liri tërësore në edukim dhe çështjet e gjuhës për gjithë banorët e shtetit shqiptar
(B) Organizimi, sa më shpejt të jetë e mundur, në pajtim me traditat e vendit dhe të ushtrojë administrim efecient të strukturave legjislative dhe administrative, duke përfaqësuar të gjithë kategoritë e popullsisë.
(C) Shmangien e përdorimit të vendit apo kolonializmin e tij në mënyrë të rrezikshme që të luftosh kundër interesave të banorëve vendas. Nën këtë çështje do të përfshihet ndonjë rekomandim, të cilin komisioni mund ta përpilojë si përmirësimin në sistemin ekzistues të zotërimit të vendit.
(D) Krijimin e xhandarmarisë, zyrtarët e lartë të së cilës mund të jenë edhe nga vendi i mandatar për të udhëhequr. Fuqia e mandatar do të ketë të drejtën për një periudhë 2-vjeçare, nga koha e nisjes së zbatimit të marrëveshjes, dhe më tej, të organizojë xhandarmarinë kombëtare dhe të porosisë forcat të armatosura në vend. Pas asaj periudhe, shteti shqiptar do të çmilitarizohet përkohësisht dhe asnjë fuqi nuk do të lejohet të mbajë një forcë të rregullt ushtarake në vend pa u sanksionuar prej Këshillit të Lidhjes së Kombeve”.
Ripunohen propozimet franko-britanike
Në vazhdim është parafraza e tekstit të propozimeve të ripunuara franko-britanike, siç u pranuan nga kryeministri Nitti dhe iu kaluan delegacionit jugosllav nga kryeministri Clemenceau, më 14 Janar.
“Çështja e Adriatikut:
Propozimet e ripunuara iu përcollën delegacionit jugosllav nga Zoti Clemenceau pasditen e 14 janarit të vitit 1920.
1 – Këtu do të jetë një shtet i pavarur, që përbëhet nga Korpusi i Pavarur i Fiumes. Ky shtet i pavarur ka të drejtë të zgjidhë përfaqësuesin e saj që do të caktohet në bazë të një marrëveshje ndërshtetërore.
Shtetit serbo-kroato-slloven do t’i jepet qyteti i Susakut; për të ekzistonte mirëkuptimi për shkak të rrjetit hekurudhor që po mbaronte atje, bashkë me të gjitha lehtësirat për zhvillimin e tij dhe të portit në tërësi, që pritet të kalojnë për miratim, pasi tani i përkasin Lidhjes së Kombeve, e cila do të marrë në konsideratë interesat e shtetit serbo-kroato-slloven, Hungarisë, Transilvanisë si dhe të vetë qytetit dhe do ta menaxhojë në përputhje me rrethanat.
2 – Shteti i lirë (propozimet e mëparshme) nuk do të ekzistojë dhe vija kufitare do të jetë e përvijuar midis Italisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven; sipas kërkesave të mëposhtme:
A – Të garantojë përgjatë bregdetit një lidhje rrugore brenda territorit italian. Megjithatë, kjo do të bëhet në një mënyrë të tillë që të nisë, jo më larg se shteti serbo-kroato-slloven, e tërë hekurudha nga ana veriore e Fiumes përgjatë Adelsbergut. Këtu ku hekurudha nga Fiume ndjek bregdetin, vija kufitare do të shtrihet midis aksit hekurudhor dhe korridorit që bashkon Fiumen me Italinë.
B – Një korrigjim i linjës së Uillsonit në rajonin e Senoseçhias për të garantuar mbrojtje Triestes
C- Vija kufitare, do të jetë e përcaktuar sipas asaj që është shënuar nga vija blu, në hartën bashkëngjitur. Kjo do ta lërë në shtetin serbo-kroato-slloven, me rajone të pastra jugosllave.
3- Po këtu do të jetë një shtet i pavarur, nën garancinë e Lidhjes së Kombeve, që quhet Zara, me kufizimet të një bashkie. Ky shtet i pavarur ka të drejtë të ketë përfaqësuesin e saj diplomatik, i cili do të zgjidhet sipas marrëveshjeve.
4- Vlora do të mbahet nga Italia, siç u përcaktua në Marrëveshjen e Londrës; veç kësaj, madatimi për mbikëqyrjen e Shqipërisë do ti jepet Italisë. Kufijtë verior të Shqipërisë do të rishikohen, siç tregohet në hartën bashkëngjitur. Ato krahina të Shqipërisë, të cilat, në këtë mënyrë shkojnë tek shteti serbo-kroato-slloven, do të gëzojnë një status special, si një provincë e ngjashme autonome, njësoj si në rastin e përcaktuar në marrëveshje me Republikën Çekosllavake, për të siguruar provincat autonome të saja. Kufiri jugor i Shqipërisë do të jetë në vijën, e cila ishte propozuar nga delegacioni britanik dhe francez rreth Komisionit të Çështjeve të Greqisë. Kjo i lë Greqisë, Korçën dhe Gjirokastrës.
5- Po këtu, do ti transferohen Italisë ndjekja e grupeve të ishujve: Lussin, Lissa dhe Pelagos. Pjesa e ishujve që mbeten do të kalojnë nën sovranitetin e shtetit serbo-kroato-slloven.
6- Të gjithë ishujt e Adriatikut do të jenë të çmilitarizuara.
7- Italianët do të kenë një leje të përkohshme speciale të vendosin pa lënë territorin e tyre kombëtar italian.
8- Ndërmarrjet ekonomike që ekzistojnë tani në Dalmaci do të funksionojnë sipas një konvente ndërkombëtare, duke pasur sigurinë e tyre të garantuar.
Shkrimi është publikuar më 26 shkurt 1920 në “The New York Times
Titulli është redaksional
Përgatiti Albert Gjoka
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Përplasjet mes Uashingtonit dhe dy fuqive europiane për hartën e botës
Plani franko-britanik shkakton debate të ashpra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kërkesat e parashtruara nga Uashingtoni për kryeministrat anglez dhe francez
Si vijuan bisedimet rreth planeve të paraqitura për miratim në Lidhjen e Kombeve
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
25 Korrik 2008