Konfirmohet kërkesa për rritje çmimesh 31 për qind
Propozimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për çmimet e reja të energjisë elektrike për vitin 2010 u bënë dje publike. Propozimi i OSSH-së është për rritje të konsiderueshme të çmimeve prej deri në 31 për qind për bizneset e furnizuara nga tensioni i lartë, si dhe për konsumatorët familjarë që kanë konsum mujor prej më pak se 300 kWh. Sipas Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, rreth 76 për qind e konsumatorëve familjarë në Shqipëri kanë konsum më të ulët se 300 kWh në muaj. Në rast se propozimi miratohet siç është, shqiptarët do të përballen më 1 janar me rritjen më dramatike të çmimeve të energjisë që kanë parë ndonjë herë. Gjatë viteve të shkuara, strategjia e sektorit të energjisë sugjeronte një rritje vjetore prej 10 për qind, por gjatë katër viteve të fundit, grafiku i rritjes nuk është respektuar nga qeveria për arsye politike dhe tani shqiptarët duhet të përballen me rritjen e menjëhershme prej 31 për qind të faturës së vet. Të varfrit pritet të goditen më rëndë. Sipas një studimi të ERE-s, familjet e varfra paguajnë një faturë dritash prej 1775 lekësh në muaj dhe kjo shumë përbën 7 për qind të të ardhurave. Në rast se rritja e çmimit miratohet, fatura e dritave do të përbëjë më shumë se 9.2 për qind të të ardhurave të familjeve të varfra. Të varfrit teorikisht kanë të drejtë të përfitojnë nga një fond shtetëror për kompensimin e rritjes së çmimit të dritave, por vetë qeveria ka pranuar tashmë se nuk ka arritur të identifikojë familjet e varfra dhe të shpërndajë fondin e ndihmës.