E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikani vlerëson veprën e Marksit

Karl Marks, njeriu që njihet ndër të tjera edhe për shprehjen e tij të famshme se "feja është opium për popujt", është "bashkuar" më në fund me Galileon, Darvinin dhe Oscar Wilde, që janë vetëm disa nga emrat e një liste të gjatë personash të "rehabilituar" nga kisha katolike. "L‘Osservatore Romano", gazeta zyrtare e Vatikanit, deklaroi dy ditë më parë se kritikat e hershme të Marksit ndaj kapitalizmit vunë theksin në "huajëzimin social" të përjetuar nga "pjesa më e madhe e njerëzimit", që edhe sot e kësaj dite mbetet e përjashtuar nga vendimmarrja ekonomike dhe politike. Georg Sans, një profesor gjerman i historisë bashkëkohore në Universitetin Gregorian, ka shkruar një artikull se "vepra e Marksit mbetet e rëndësishme, veçanërisht sot, ndërsa njerëzimi është në kërkim të një harmonie të re mes nevojave të tij dhe ambientit natyror". Ai shkroi edhe se teoritë e Marksit mund të ndihmojnë në shpjegimin e çështjes së rëndësishme të pabarazisë së të ardhurave në shoqëritë kapitaliste. "Ne duhet të pyesim veten në lidhje me format e huajëzimit, për të cilat ka folur Marksi që, sipas tij, e kanë zanafillën në sistemin kapitalist. Për shembull, si mund ta shpjegojmë faktin e grumbullimit të pasurisë në duart e pak personave?"
Me rivlerësime të tilla nga ana e Vatikanit mund të lindë pyetja se cila figurë, dikur e papranueshme për kishën, e ka radhën që të bëhet e pranueshme. Një vit më parë, Vatikani ngriti një statujë të Galileos, e cila u interpretua si një mënyrë për të kërkuar falje në lidhje me gjykimin që i bëri astronomit të famshëm në vitin 1633 për deklaratën e tij se toka sillet rreth Diellit. Në shkurt, një tjetër zyrtar i Vatikanit deklaroi se teoria zyrtare e Darvinit përputhet me besimin e krishterë dhe në korrik "L‘Osservatore" lëvdoi shkrimtarin dhe eseistin e shquar britanik, Oscar Wilde, një homoseksual i shpallur, duke e quajtur "një njeri që pas maskës së imoralitetit pyeste veten se çfarë ishte e drejtë dhe çfarë e gabuar". Sipas profesorit, trashëgimia intelektuale e Marksit u gjymtua nga keqpërdorimi që i bënë veprës së tij regjimet komuniste të shekullit të kaluar. "Nuk do ta tepronim nëse do të thoshim se asgjë nuk e ka dëmtuar filozofinë e Marksit më shumë se sa vetë marksizmi".
Këto deklarata janë një kthesë që merret nga armiqësia njëshekullore e kishës ndaj kredove të Marksit. Dy vjet më parë, Papa Benedikti XVI e quajti marksizmin si një nga të këqijat më të mëdha të epokës moderne. "Sistemi marksist, kur gjente rrugë aplikimi në qeveri të ndryshme, jo vetëm që linte pas një trashëgimi të trishtë ekonomike dhe një shkatërrim ekologjik, por gjithashtu shkatërronte edhe shpirtin njerëzor", ka deklaruar Benedikti në Brazil. Megjithatë, këndvështrimi i profesorit Sans nuk ka qenë pa kritika ndaj Marksit. Marksi vetë në përfundim të veprës së tij për kapitalizmin ka deklaruar se ai do të shkatërrohet nga kontradiktat e veta të brendshme dhe do të zëvendësohet nga komunizmi pas një periudhe tranzicioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›