E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet: Kasat fiskale, importuesit kundërshtojnë procesin


TIRANË- Aksioneve të shumta të tatimeve duke penalizuar një numër të konsiderueshëm pikash të shitjes së karburanteve për shkak të mosvendosjes së kasave fiskale i është përgjigjur Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve duke i kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave në këtë process për të parandaluar abuzimet. Shoqëritë e Hidrokarbureve shprehin rezerva në lidhje me procesin e pajisjes së tyre me kasa fiskale duke theksuar se janë pikërisht kompanitë e licencuara nga financat që vonojnë pajisjen e pikave të karburanteve me kasa. "Në mënyrë paradoksale me vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë, me njëanshmëri të theksuar, nga Ministria e Financave janë përzgjedhur kompanitë që duhet të bëjnë fiskalizimin, është caktuar edhe lloji i pajisjes fiskale dhe skema e implementimit. Nga pesë shoqëri që janë zgjidhur për fiskalizim, këtë lloj pajisje fiskale e ofron vetëm një prej tyre, por edhe kjo shoqëri nuk e implementon dot në praktikë, duke nxjerrë pretendime për llojin e pompave dhe duke e shtyrë procesin kohë pas kohe. Kompanive u caktohet lloji i pajisjes dhe shitësi ku duhet ta blejnë. Në të njëjtën kohë kur vetë shitësi nuk i përgjigjet dot kësaj lloj pajisjeje, ai ka të drejtën të vendosë çfardo lloj çmimi shitjeje, sepse është pa konkurrencë në treg", - theksoi dje kreu i Shoqatës Luigj Alija. Nisur nga situata e krijuar Shoqata i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të marrë nën administrim këtë proces.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›