E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, dështimi i pritshëm

Me ndryshimin e dytë radhazi, datë
05.11.2008 "Për disa shtesa në udhëzimin
nr. 17, datë 13.05.2008 Për Tatimin
mbi Vlerën e Shtuar", Ministria e Financave
vetëm sa vulosi përfundimisht dështimin e pritshëm
të skemës së re në tregun e karburanteve. Më
konkretisht, ndryshimi me numër 17/2 pasoi ndryshimin
nr. 17/1 të kryer në datë 05.08.2008 dhe ndryshimin
nr. 18 të kryer në datë 18.06.2008.
Që në fillim të skemës së re fiskale, vërehet re
urgjenca e Ministrisë së Financave, duke miratuar
udhëzimin fillestar nr. 18, pa u konsultuar me grupet
e interesit dhe duke e futur udhëzimin në fuqi menjëherë
(dhe jo 15 ditë mbas publikimit në Fletoren
Zyrtare, siç kryhet zakonisht për t‘i dhënë kohë biznesit
për t‘u përshtatur). Është jashtë çfarëdo logjike
normale që të kryhen ndryshime radikale me një
shpejtësi marramendëse në një treg me një xhiro vjetore
prej rreth se 1 miliard dollarësh. Gjithashtu, fakti
se janë kryer tri ndryshime për një periudhë prej më
pak se gjashtë muaj, tregon se ndryshimet nuk ishin
aspak të studiuara. Së fundmi, udhëzimi nr. 17/1 datë
05.08.2008, nuk e ndryshon udhëzimin e mëparshëm
nr. 18 datë 18.06.2008 (siç edhe duhet të ndodhte,
sepse ky udhëzim ndryshonte nga ana e tij udhëzimin
nr. 17), por ndryshon udhëzimin e parë nr. 17,
datë 13.05.2008. Pra, udhëzimi nr. 18, datë 18.06.2008
është akoma i vlefshëm?!
Por le të vijmë te thelbi i udhëzimit të parë nr. 18,
datë 18.06.2008. Udhëzimi, ndërmjet të tjerave,
(ç)rregullon marrëdhëniet midis shitjes me shumicë
dhe pakicë të karburanteve. Konkretisht, shoqëria e
shitjes me shumicë konsiderohet si "Kryesori" dhe ajo
e shitjes me pakicë si "Agjenti". Udhëzimi detyron
Agjentin që të lidhë marrëveshje furnizimi me një
Kryesor të zgjedhjes së tij për një produkt të caktuar,
si dhe të shërbejë si ndërmjetës për këtë të fundit.
Gjithashtu, çmimi i shitjes nga
Kryesori tek Agjenti do të jetë
me pakicë (dhe jo me shumicë
si deri përpara hyrjes në fuqi
të skemës së re) dhe Agjenti,
për shërbimin e kryer ndaj
Kryesorit, do t‘i lëshojë një
faturë shërbimi këtij të fundit.
Pra, tashmë, çdo shoqëri e
shitjes me pakicë të karburanteve nuk është e lirë të
ushtrojë një veprimtari ekonomike bazuar në rregullat
e konkurrencës së shëndetshme, por është e
detyruar të jetë vetëm ndërmjetëse midis Kryesorit
dhe konsumatorit final.
Gjithashtu, skema e re fiskale bie në kundërshtim
me dispozitat përkatëse të ligjit nr. 8450, datë
24.02.1999 "Për përpunimin, transportimin e
tregtimin e naftës, gazit e nënprodukteve të tyre", të
cilat përcaktojnë se mjafton vetëm një kontratë midis
një shoqërie të shitjes me shumicë dhe një shoqërie të
shitjes me pakicë për t‘u realizuar një shitje midis tyre.
Ndryshimet e kryera në udhëzimin nr. 17.2, datë
05.11.2008 si, lejimi i shitjes me çmim shumice midis
shoqërive të shitjes me shumicë, lejimi i shitjes me
shumicë për konsumatorët e mëdhenj industrialë, si
dhe rregullimi i shitjes me tollona, nuk përbëjnë zgjidhje
të problemit, por vetëm zbutje të tij.
Me gjithë arnat e vendosura në tri ndryshimet e fundit,
antikushtetueshmëria e udhëzimit vazhdon të qëndrojë
duke rrezikuar që tregu i karburanteve të pasojë deformime
të pakthyeshme. I vetmi përfitues në këtë rast
është Ministria e Financave, e cila do të mbledhë Tatimin
mbi Vlerën e Shtuar direkt nga shoqëritë e shitjes me
shumicë (skemë që u aplikua dhe më pas dështoi në
Maqedoni) dhe nuk do të "lodhet" me rreth 1000 shoqëri
të shitjes me pakicë, të cilat nuk i ka mekanizmat
për t‘i kontrolluar. Gjithashtu, rivlerësimet e vendosura
nga ana e tatimorëve ndaj shoqërive të shitjes me shumicë
arritën në disa dhjetëra miliona lekë, duke mbushur
kështu arkën e shtetit.
E vetmja zgjidhje logjike do të ishte që shoqëritë
e tregtimit me shumicë nuk kanë kundërshtim që,
për furnizimet që kryejnë për stacionet e tregtimit
me pakicë në pronësi të tyre, faturat tatimore të kryhen
me çmimet e shitjes me pakicë. Por kjo kërkon
që më parë të bëhen rregullimet e nevojshme në
ligjin nr. 8450 për hidrokarburet.
Po ashtu, skema e re për shitjet
që realizohen nga shoqëritë
e tregtimit me shumicë për stacionet
e tregtimit me pakicë që
nuk janë në pronësi të këtyre
shoqërive, të jetë ajo që ka qenë
përpara daljes së udhëzimeve
nr. 17, 18, 17/1 e 17/2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›