E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet drejt 160 lekeve per liter

Konsumatorët shqiptarë po përballen sërish me rritjen e çmimit të karburanteve, ashtu si dy vjet më parë.

Ashtu si në të kaluarën kur litri i benzinës shitej për 165 lekë, edhe sot, përmenden të njëjtët faktorë që lidhen me kursin e këmbimit dhe tregjet e huaja, bursa, që nuk janë në dorë të tregtarëve tanë.

Ajo që ka ndryshuar, pra faktori i ri, ka të bëjë me nivelin e taksave dhe tarifave.

Për vitin që shkoi, Ministria e Financave mori disa vendime që preknin direkt sektorin e karburanteve, duke shtuar taksat për disa nënprodukte, ndërsa nuk kanë munguar udhëzimet e shumta për mënyrën e llogaritjes së TVSH, aplikimi i çmimit përmes komisioneve (kontrolli i tyre nga shumica), si dhe një sërë aktesh të tjera të marra nga institucionet e linjës.

Vëzhgimi i fundit mbi tregun e karburanteve tregon se litri i benzinës po i afrohet 160 lekëshit, kurse naftën e gjen me 155 lekë. Këto janë të dhëna që i takojnë pikave kryesore të shitjes me pakicë brenda territorit të Tiranës, kryeqytetit, aty ky çmimet në tërësi janë më të larta. Diferenca me qytetin tjetër kryesor, ai bregdetar, Durrësi, është 4-5 lekë.

Duke bërë krahasime me fillimin e vitit 2010, kur nafta (10 ppm) shitej për 128 lekë dhe benzina (standard 95) ishte 132 lekë për litër, vërehet se ka rritje përkatësisht 16.3 dhe 17.5 për qind.

Tendenca paraqitet për një shtrenjtim edhe më të madh nëse bursat vijojnë me rritjen e çmimit të “arit të zi”, i cili dje u kuotua për 96 dollarë për fuçi (Bursa e Londrës). Po çfarë po ndodh me tregun vendas, sa real paraqitet ndryshimi i çmimit dhe a ka vend për spekulime?

Përgjigjja e importuesve është e thjeshtë dhe e shpejtë. Bursat japin ndikimin kryesor, kursi gjithashtu dhe ndër kryesoret, ndikimin që japin taksat e reja. Sipas presidentit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, ndikim në nivel të konsiderueshëm japin taksat, të cilat në dy vitet e fundit kanë pësuar ndryshime drejt rritjes.

Aliaj thotë që nuk ka asnjë vend për spekulim, pasi çdo veprim që përcakton çmimin e naftës dhe benzinës është i dokumentuar. Më konkretisht, lidhur me taksat, Aliaj thotë se, “TVSH-ja prej 20 përqindësh, akciza me 37 lekë/litri për naftën dhe benzinës (nivel fiks), taksat kufitare dhe ato portuale, janë detyrime që i duhen paguar shtetit, të cilat sjellin rritje deri 120 për qind ose deri në 60 lekë për litër të çmimit të karburanteve”.

Vitin që shkoi, Ministria e Financave ndryshoi ligjin “Për akcizat” duke futur në sistemin e taksave disa nënprodukte nafte. Rritja e tyre parashikon t’i sjellë arkës së shtetit të paktën 40 milionë dollarë të ardhura, që ndryshe përkthehet si kosto shtesë, kryesisht për biznesin.

Megjithatë, pavarësisht këtyre faktorëve, importuesit nuk japin një sqarim të plotë lidhur me ndryshimet e çmimeve në bursa, të cilat jo gjithnjë reflektoheshin në tregun vendas. Kjo ndodh zakonisht kur ka ulje të çmimit në bursa, që sipas grafikut ka pësuar të paktën pesë herë rënie, por që nuk është pasqyruar në tregun tonë. Për këtë rast, importuesit reagojnë duke thënë se ka pasur disa herë rritje të çmimit në bursa, që nuk janë pasqyruar në vendin tonë, duke punuar me rezervat, pa cenuar konsumatorët.

Gjithsesi, debati mbi rritjen spekulative të çmimeve dhe ndikimi i tyre në ekonominë, nëse është reale apo jo, mund të marrë fund vetëm nëse do të kemi një autoritet shtetëror që merr nën kontroll çmimet, sikurse veprohet në Maqedoni apo në ndonjë vend tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›