E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderet rastet kur mund te perjashtohen bizneset

Ndryshimi i shpeshtë i ligjit “Për prokurimet publike” ka çorientuar bizneset, të cilët nuk janë në gjendje të kuptojnë strukturën e re dhe ku duhet të drejtohen për të marrë sqarimin e duhur.

Këtë fakt e pranon dhe vetë autoriteti më i lartë i procesit të tenderëve, Agjencia e Prokurimit Publik, e cila ditët e fundit ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm që bën të mundur ndarjen e kompetencave mes strukturave kompetente.

Nëse nga ana e firmave private apo institucioneve të shtetit do te ketë paqartësi të ndryshme në lidhje me zbatimin e ligjit të prokurimit publik, atëherë ato mund të paraqesin kërkesën e tyre për sqarim pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, e cila do të japë këshilla dhe asistencë teknike për këto autoritete kontraktore, sidomos për pjesën që lidhet me prokurimin elektronik.

Në udhëzim thuhet se “autoritetet kontraktore kanë të drejtën dhe detyrimin që të paraqesin kërkesën e tyre për përjashtimin e një operatori ekonomik nga prokurimet publike nëse, ato gjykojnë se përmbushen kriteret e përcaktuara në ligj”.

Vetëm APP-ja e ka të drejtën ligjore për të vendosur sanksione me gjoba dhe përjashtime nga tenderët, me anë të propozimit.

Auditet e brendshme apo institucionet e tjera që veprojnë në fushën e prokurimeve publike, duke përfshire këtu edhe institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, paraqesin pranë Agjencisë së Prokurimit Publik propozimet e tyre në lidhje me marrjen e masave ndëshkuese për shkeljet e konstatuara gjatë auditimit të procedurave të prokurimit në autoritetet e ndryshme kontraktore.

Për sa i përket kompetencave të Avokatit të Prokurimeve Publike, i cili mbron të drejtat dhe interesat e ligjshme të kandidatëve, ofertuesve në tender apo furnizuesve, ky institucion mund të kryejë hetime të ndryshme.

Avokati mund të hyjë në çdo zyrë të institucioneve publike, të kërkojë informacione e shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë në pyetje çdo person të lidhur me çështjen në hetim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›