E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, letër Kryeministrit: Të rishikohen afatet dhe gjobat për kasat

Debati Nga pesë shoqëri kasash, vetëm një është në gjendje të bëjë instalime

Aksionet e fundit të tatimorëve drejt pikave të karburantit për pajisjet fiskale, si dhe masat e forta të gjobave, detyron Shoqatën e Hidrokarbureve t’i dërgojë një letër Kryeministrit dhe ministrit të Financave për rishikimin e disa pikave në vendim. Letra nuk bëhet e ditur me detaje, por mësohet se në thelb kërkohet rishikimi i afateve për vendosjen e kasave, si dhe masa e gjobave, që shkon deri në 500 mijë lekë të reja. Nga testimet e bëra në treg përmes grupeve të kontrollit, rezulton se nga 5 shoqëri kasash të autorizuara nga qeveria, vetëm njëra është në gjendje t’i instalojë pajisjet sipas standardeve të kërkuara në VKM, pasi produktin e merr në Itali, por edhe kjo shoqëri has vështirësi në disa raste gjatë instalimit, për shkak të teknikës së pompave (amortizimi) dhe leximit të kodeve (protokollet që mungojnë). Në këto kushte, subjektet e karburanteve kërkojnë ndryshimin e VKM-së, në mënyrë që sistemi fiskal i pajisjes t’i përshtatet pompës. Ndërkaq, Ministria e Financave ka përfunduar udhëzimin e ri për kasat fiskale, në përputhje me VKM-në e fundit, nga ku pritet rifillimi nga e para e programimit, për shkak të problemeve të hasura në terren me transmetimin e të dhënave.

Burime pranë shoqërive të karburantit konfirmojnë se shoqata nuk është kundër procesit të instalimit të kasave, por shtojnë se sistemi duhet t’i përputhet realitetit, ndërsa kërkohet që situatën ta marrë në dorë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Një sugjerim lidhet me pagesat, që karburantet mendojnë t’i bëjnë për llogari të tatimeve, ndërsa këto të fundit, me shoqëritë e kasave, duke qenë se sistemi fiskal është në interes të DPT-së.

Të tjera detaje lidhen me qëndrimin e Ministrisë së Financave për t’i çuar detyrimet e VKM-së deri në fund, duke u mos u dhënë të drejtë karburanteve, pas takimit të zhvilluar dy ditë më parë. Gjatë ditëve të fundit ka pasur një sulm aksionesh të tatimorëve, duke vendosur gjoba dhe mbyllje aktivitetesh. Tani pritet kthimi i Kryeministrit nga Brukseli dhe njohja me letrën, e cila përmban disa sugjerime për skemën e kasave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›