SHBA: Luftoni korrupsionin, jepini fund ngërçit politik
Komisioni i Senatit amerikan për marrëdhëniet me jashtë zhvilloi dje një seancë mbi Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua përparimi i bërë në vendet e këtij rajoni drejt integrimit euro-atlantik dhe sfidat me të cilat ndeshen këto vende. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Bashkimit Europian për integrimin e këtij rajoni. Kolegia Bardha Shpuza Azari sjell hollësi. Ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e Europës dhe Eurazisë, Filip Gordon, prezantoi përparësitë e administratës së Presidentit Obama për rajonin e Ballkanit Perëndimor, një ndër to edhe integrimi euro-atlantik. Në lidhje me Shqipërinë, ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e Europës dhe Eurazisë tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht integrimin euro-atlantik të vendit. “E mbështesim integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Dhe megjithëse qeveria shqiptare duhet të punojë më shumë për të luftuar korrupsionin, ndërsa shpresojmë t’i jepet fund ngërçit politik në Parlamentin e vendit, Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon”, u shpreh Gordon. Stabiliteti në Kosovë, tha zoti Gordon, mbetet një nga sfidat kryesore. Ndihmëssekretari i shtetit nënvizoi përparimin e bërë deri tani në Kosovë. “Dy vjet pas pavarësisë, udhëheqja e Kosovës ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Qeveria ka ndërtuar shkolla dhe rrugë, ministri dhe agjenci. 2009-a ishte viti i konsolidimit të institucioneve, krijimit të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjeve të para të administruara nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës. Edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte domethënëse”, tha ai. Kosova, shtoi zoti Gordon, ka arritur një marrëveshje historike me Maqedoninë për demarkacionin e kufirit dhe ka vendosur marrëdhënie të plota diplomatike me të dhe me Malin e Zi. Shtetet e Bashkuara e shohin Bashkimin Europian si partnere të rëndësishme të Uashingtonit për të avancuar përpjekjet e Kosovës drejt reformës dhe përparimit. Megjithatë, Kosova haset edhe me sfida. “Kosova ka arritur shumë gjatë dy viteve të saj të para, megjithatë ka ende shumë punë për të bërë. Ne po punojmë me qeverinë e Kosovës për t’i zgjidhur këto çështje. Decentralizimi i pushtetit duhet të vazhdojë. Qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në vend, duke përfshirë veriun e vendit. është e rëndësishme që qeveria të theksojë përfitimet e decentralizimit dhe t’u japë mbështetje të madhe komunave në zbatimin e funksioneve të tyre. Forcimi i zbatimit të ligjit është qenësor për Kosovën, dhe është çelësi i suksesit edhe në fushat e tjera, tha zoti Gordon. Por edhe ekonomia nuk duhet lënë pas. Qeveria duhet të zbatojë reformat e nevojshme për të nxitur rritjen e sektorit privat. Shqipëria, tha zoti Gordon, ka punuar shumë për pajtimin e komuniteteve serbe dhe shqiptare, ka ripërtëritur marrëdhëniet e nivelit të lartë me Serbinë dhe mbështet integrimin euro-atlantik të Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria sapo ka dorëzuar edhe pyetësorin e anëtarësimit në Komisionin Europian. Zoti Gordon foli dje në seancën dëgjimore të komisionit të Senatit për marrëdhëniet me jashtë.
#