Atentat në qendër të Korçës, shpëton për mrekulli 25-vjeçari
Një 25-vjeçar korçar i ka shpëtuar mrekullisht një atentati, ndërkohë që policia ende nuk ka mundur të ndalojë autorin e ngjarjes që tronditi qytetin e Korçës mesditën e djeshme. I riu, i cili në qytet njihet me emrin “Majku”, i ka shpëtuar vrasjes së sigurt, kur është qëlluar me një breshëri automatiku teksa lëvizte me një mjet tip “Audi” me targa të huaja. Me një çantë të zezë sportive në krah, në të cilën kishte fshehur një armë kallashnikov, autori i atentatit ka qëlluar shtatë herë në një zonë tepër të populluar dhe me dhjetëra biznese në afërsi. Olger Mustafa, 25-vjeçari nga Korça, që është identifikuar si autor i kësaj ngjarjeje nga policia lokale, ka qëlluar shtatë herë në drejtim të mjetit me të cilin lëvizte bashkëmoshatari i tij, Majkëll Hysolli. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së enjtes, pak metra larg sheshit qendror të qytetit, në vendin e quajtur “Bonboneria”. Pasi ka qëlluar fillimisht gomat e makinës me targë AT585PT, për të ndaluar mjetin që drejtohej nga Hysolli, autori ka vazhduar të qëllojë në drejtim të të riut dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht 25-vjeçari nuk ka marrë asnjë plagë. Dëshmitarë të shumtë në vendin e ngjarjes kanë parë një autoveturën me targa italiane që ka mbetur në mes të kryqëzimit të rrugëve, pasi Olger Mustafa kishte qëlluar dy gomat e përparme të mjetit, ndërkohë në vendin e ngjarjes policia ka gjetur shtatë gëzhoja dhe shenja të të shtënave ka pasur edhe në mjetet e parkuara.
Pas largimit të atentatorit, Hysolli ka dalë nga makina dhe ka pritur mbërritjen e policisë, e cila ka gjetur fillimisht në rrugë mjetin e lënë me derë të hapur. 25-vjeçari është shoqëruar për t’u marrë në pyetje vetëm pak minuta pas ngjarjes, e cila ka ndodhur teksa një pjesë e mirë e drejtuesve të policisë kanë qenë disa metra larg vendit të ngjarjes, në prefekturë, në një takim për marrjen e masave kundër lëndëve narkotike. Dëshmitarë dhe kalimtarë të rastit kanë thënë se gëzhoja plumbash janë gjetur në një argjendari dhe një dyqan buke, përballë vendit nga ku u qëllua me kallashnikov. Policia, që shoqëroi 25-vjeçarin e mbijetuar nga atentati, tha se autori është njohur edhe nga vetë personi ndaj të cilit u qëllua. Olger Mustafa është shpallur në kërkim policor, ndërsa policia ka gjetur armën e krimit, pak metra larg vendit të ngjarjes. Sipas hetimeve të para, tentativa për të vrarë Hysollin ka qenë për larje hesapesh. Olger Mustafa, 25 vjeç, njihet për precedentët penalë. Atij i janë gjetur lëndë narkotike dhe armë, kur disa muaj më parë ishte shkaktar i një aksidenti në fshatin Lumalas. Pas aksidentit, me një mjet BMW që drejtohej prej tij, policia i ka gjetur një armë që Olger Mustafa e mbante pa leje, si dhe një sasi lënde narkotike.