Karburantet mbeten te shtrenjta, ekspertët: Të ndërhyjë shteti
Ervin KOÇI - Java e parë e vitit 2011 duket se do të mbyllet pa asnjë rënie të çmimit të hidrokarbureve në pikat e tregtimit me pakicë në vend. Edhe dje tabelat e pikave të tregtimit në kryeqytet mbajtën të njëjtat vlera çmimesh si në ditët e para, në një kohë që tregtarët kanë folur edhe për një rritje të mëtejshme në ditët në vijim. Atyre u kanë ardhur në linjë edhe deklarata e ditëve të fundit të bëra nga përfaqësues të kompanive grosiste të hidrokarbureve, të cilat kanë folur për shtrenjtim të mëtejshëm të çmimit të karburanteve në bursa. Sipas njërit prej përfaqësuesve të grosistëve të hidrokarbureve, Viktor Nushi, çmimet do të mbeten të jenë të larta. Ai ka sqaruar të gjithë konsumatorët shqiptarë se çmimi i naftës nuk vendoset nga shoqata e hidrokarbureve dhe se nuk ka abuzime siç pretendohet, pasi në vendosjen e çmimit ndikojnë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm. “Në luhatjet e çmimit ndikon edhe bursa ndërkombëtare, por duhet pasur parasysh se nuk është importi i naftës së dorës së dytë”,- theksoi Nushi. Ai ka vlerësuar gjithashtu se, politikat financiare shtetërore ndikojnë në mënyrë direke në rritjen e çmimit. Por të këtij mendimi nuk janë ekspertët e ndryshëm të ekonomisë, të cilët i mëshojnë faktit se në mbajtjen e çmimeve të larta, ka padyshim abuzime si nga shteti ashtu dhe nga privatët.
Ekspertët
Shtrenjtimi i karburanteve dhe disa produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare po jep pasoja edhe në Shqipëri, por në vendin tonë efektet e rritjes janë disa herë më të mëdha. Specialistët thonë se amplifikimi i rritjes është pasojë e zhvlerësimit të lekut. Ata këshillojnë që të ndërhyhet në masa fiskale për të zbutur shtrenjtimin e karburanteve. “Në radhë të parë në situatën fiskale duhen parë taksat në formën e akcizës, që janë taksa fikse për produktet, duke parashikuar që përmes taksës edhe të shtohen të ardhurat në buxhet, por edhe të lehtësohet barra fiskale mbi produktet që vijnë nga jashtë”,- deklaron eksperti, Gjergji Filipi. Një tjetër masë që mund të ulë pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të ishte konkurrenca e ndershme. “Situata në Shqipëri është vështirë të quhet konkurrencë e plotë, sidomos kur ke të bësh me produkte si karburantet, apo vaji, ku ka një përqendrim. Ilaçi është eliminimi i këtij përqendrimi dhe zhvillimi i konkurrencës së plotë. Unë jam skeptik se kjo do të ndodhë”,- thekson Filipi.
Rritja e akcizës
Nga data 1 janar e këtij viti ka hyrë në fuqi ligji për rritjen e akcizës ndaj duhanit me 20 lekë për paketë. Kjo masë u ndërmor për të parandaluar shitjet e duhanit duke shtrenjtuar çmimin e tij dhe për të ulur numrin e duhanpirësve, pasi vendi ynë shënon shifra alarmante në këtë fushë. Ka kaluar gati një javë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe tregtarët po vazhdojnë të abuzojnë me çmimet e paketave. Tregtarë të shitjes me pakicë të duhanit shprehen se, abuzimi fillon nga tregtarët e shumicës, të cilët rritjen prej 20 lekësh që ishte parashikuar në akcizë e kanë kthyer në 30 lekë. Tregtarët e pakicës thonë se janë të detyruar ta mbajnë çmimin më të lartë nga ç’parashikohej në ligj në mënyrë që të nxjerrin një fitim minimal, pasi gjithnjë sipas tyre fajin e kanë tregtarët me shumicë dhe shpërndarësit. Nga kjo situatë kaotike dhe dizinformimi që ka përfshirë këtë treg janë duke përfituar dhe shitës ambulantë, të cilët i përcaktojnë çmimet e paketave sipas zonave të ndryshme të Tiranës ku shesin.
Bie kërkesa e qeverisë për borxhe, bankat ulin me 10% interesat e kredive
Një lajm i mirë vjen për të gjithë shqiptarët që janë të interesuar për të marrë një kredi. Sipas të dhënave të fundit, interesat e depozitave me afat 1, 2 dhe 3 vjet kanë rënë mesatarisht me 10 për qind krahasuar me nëntorin e vitit 2009. Marian Gjermeni, drejtor i operacioneve monetare në Bankën e Shqipërisë i shpjegon arsyet duke i lidhur me rënien e kërkesës së qeverisë për të marrë borxh. “Kemi vënë re një ulje të normave të interesit për bonot e thesarit. Do të thotë që bankat sigurojnë më pak të ardhura nga investimi i letrave me vlerë. Ato duhet të ulin koston e huamarrjes së tyre”,- deklaroi Gjermeni. Të dhënat tregojnë se lehtësimi ka prekur edhe kredinë në lekë, ku interesat janë ulur për të gjitha afatet në të njëjtën masë sa depozitat. Banka thotë se, kjo tendencë e tregut është e mirëpritur, pasi stimulon ekonominë duke ndryshuar raportin kursime-konsum. “Kjo do ndikojë në raportin mes konsumit dhe kursimit dhe duke ulur normat e interesit në ekonomi, njerëzit do të jenë më të prirur për të konsumuar, gjë që do të reflektojë në një rritje ekonomike”,- sqaron Gjermeni. Norma bazë e interesit aktualisht është 5%.
Ekspertët: Papunësia sfida kryesore për ekonominë shqiptare këtë vit
Papunësia është një ndër problemet kryesore, me të cilat do të përballet ekonomia shqiptare këtë vit. Sipas shifrave të Institutit të statistikave, ky tregues kap vlerën e 13.5 për qind. Ndërkohë që ekspertët argumentojnë se rritja ekonomikë e vendit duhet të përkthehet me ulje të papunësisë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. “Shoqëria shqiptare vazhdon të ketë një problem shumë kardinal, që është problemi i nivelit të papunësisë e cila vazhdon që prej vitesh të luhatet në nivelet 13-14% pa u ulur dhe mendoj që do jetë sfida kryesore që rritja ekonomike shqiptare të mund të provojë më në fund punësimin e shpresuar që ndikon direkt dhe indirekt në jetën dhe mirëqenien e shqiptarëve”,- theksoi eksperti i ekonomisë, Ardian Civici. Por sipas ekspertëve, për vitin 2011 ekzistojnë kushte më të favorshme për një rritje të lartë ekonomike. Ekspertët argumentojnë se të tjerë faktorë që favorizojnë rritjen ekonomike këtë vit, janë edhe bumi i eksporteve, që duhet të vijojnë, si dhe stabiliteti i kursit të këmbimit.
EUROSTAT: Bie fuqia blerëse në eurozonë
Agjencia evropiane e statistikave “EUROSTAT”, ka raportuar ditët e fundit se është vërejtur një rënie e fuqisë blerëse në të gjithë vendet e eurozonës në ditët e para të vitit 2011. Por sipas kësaj agjencie kjo rënie ka ardhur që nga muaji i fundit i vitit që lamë pas, dhjetorit 2010. Sipas EUROSTAT-it, “fuqia blerëse në 16 vendet e eurozonës në muajin nëntor të 2010-ës ka rënë me 0.8%”. Rënia është shqetësuese për ekonomistët, pasi bie në kundërshtim me pritshmëritë, që shkalla e blerjeve të rritej me 0.2%. Rritja e fuqisë blerëse është element themelor për një rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë.
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.78 %
1Ë njëjavor 4.56 %
1M 1-mujor 4.87 %
3M 3-mujor 5.15 %
6M 6-mujor 5.89 %
12M 12-mujor 6.50 %
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
o/n njëditor 5.55 %
1Ë njëjavor 5.98 %
1M 1-mujor 6.43 %
3M 3-mujor 6.76 %
6M 6-mujor 7.28 %
12M 12-mujor 7.93 %
7 Janar 2011