E Diel, 1 Nëntor 2026

Grindja, plaku ther shokun që ruante bagëtitë



TIRANË – Lufta për një pëllëmbë tokë ka shënuar viktimën e radhës. Shtetasi Feim Leka është ekzekutuar me thikë nga bashkëfshatari i tij në Yrshek të Tiranës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 11:30, pas një grindjeje të çastit mes viktimës dhe shtetasit Isuf Sinani, 67 vjeç. Nga hetimet e para rezultoi se dy të moshuarit kishin marrë një copë tokë me qira, në të cilën kullosnin bagëtitë, por ata janë përfshirë në grindje të vazhdueshme derisa dje kanë përfunduar me gjak. Policia arrestoi autorin e krimit dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të vrasjes.

Vrasja
Dy pleqtë deri dje kullotnin bashkë bagëtitë, por tashmë njëri nuk jeton më dhe tjetri ndodhet i prangosur në qeli. Ky ka qenë fati i Feim Lekës dhe Isuf Sinanit. Ata kishin marrë me qira një copë tokë, të cilën e përdornin bashkërisht për të kullotur bagëtitë. Por, “biznesi” i përbashkët është prishur. Gjatë ditës së djeshme, teksa bënin punën e përditshme të ruajtjes së bagëtive, 75-vjeçari Leka dhe 67-vjeçari Isufi kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Kaq ka mjaftuar dhe Isuf Sinani ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar ndaj mikut të tij duke e lënë të vdekur në vend.
Menjëherë në vendngjarje shkuan oficerët e policisë për hetimin e krimeve të rënda, të cilët bënë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. “Për hetimin e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga të cilët u konkludua se grindja përmes autorit dhe viktimës të ketë qenë për motive pronësie, pasi pak kohë më parë viktima, i ndjeri Feim Leka dhe autori, kishin marrë me qira një pjesë toke me qëllim për të kullotur bagëtitë së bashku”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Tiranës.

Arrestimi
“Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet, pas krimit, u organizuan dhe bënë të mundur identifikimin dhe më pas kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë 67-vjeçari Isuf Sinani, me banim në Yrshek, Tiranë”, - thonë burimet policore. Sinani është marrë në pyetje si person nën hetim dhe i është komunikuar masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje”. Ndërkohë, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Isufit pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Fillimi i vitit 2011 ka nisur me shumë krime, ku konstatohen veprat penale të vrasjes dhe grabitjeve me armë.

Përplasja mes mjeteve i sjell vdekjen 23-vjeçarit

ELBASAN - Përplasja mes një makine dhe një motori ka qenë fatale për drejtuesin e këtij të fundit. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit bënë të ditur se shtetasi Ardjan Meta, 23 vjeç, banues në lagjen “Skënderbej”, është plagosur gjatë një aksidenti dhe pasi është dërguar në Spitalin Rajonal të Elbasanit gjeti vdekjen për shkak të plagëve të marra. Sipas tyre, motori i drejtuar prej viktimës është përplasur në vendin e quajtur "Ura e Kushës" me mjetin tip “Opel”, me targa të huaja YXP 7507, me drejtues shtetasin Festim Pisha, 30 vjeç, banues në Elbasan. Burimet policore sqarojnë se po punohet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.
Gjatë javëve të fundit kanë ndodhur shumë aksidente, ku në shumicën e rasteve, protagonistë janë mjete me targa të huaja që drejtohen nga emigrantët shqiptarë që kanë ardhur pranë familjeve për festat e fundvitit.

Shkodër, arrestohet grabitësi i milionave

SHKODËR – Grabiste me miliona lekë duke shënjestruar kazinotë e Shkodrës në kohën e përmbytjes, por aventura e ndërmarrë disa herë ka përfunduar në orët e vona të së mërkurës. Policia e Shkodrës arrestoi mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 22:00, Edi Gjokën, banues në fshatin Barbullush të komunës Bushat.
Prangosja e 27-vjeçarit Gjoka u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera nga ana jonë rezulton se i lartpërmenduri është autor i disa vjedhjeve me armë. Më 5 janar të këtij viti ka kryer njëherësh dy grabitje: njëra në lagjen “Vojo Kushi” të qytetit të Shkodrës, në dyqanin e kompanisë celulare “AMC”, ku ka vjedhur me armë një shumë prej 1 170 000 lekësh të vjetër dhe vetëm dy orë më vonë, në lagjen “Qemal Stafa”, në një lokal “APEX KAZINO, ka vjedhur me armë një shumë prej 1 200 000 lekë të vjetër. Policia sqaroi se më 29 dhjetor të vitit të kaluar, në lagjen “Partizani”, në një lokal të lojërave të fatit, ka vjedhur me armë një shumë prej 300 000 lekësh të vjetër. Burimet zyrtare sqarojnë se gjatë arrestimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 200 000 lekë të vjetër dhe një aparat celular tip “Nokia”.
“Materialet në ngarkim të shtetasit Edi Gjoka pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “vjedhjes me armë” dhe “armëmbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake“.

7 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›