E Diel, 1 Nëntor 2026

I dehur vret gruan, pastaj qëllon veten



DURRËS – Krimi trondit sërish familjen. Pas alarmit të dhënë gjatë fundvitit nga strukturat më të larta të Policisë, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi dje. Në gjendje të dehur dhe në depresion, 53-vjeçari Agim Hoxha ka ekzekutuar bashkëshorten e tij, Bukurijen. Ngjarja ndodhi në orën 2 të mëngjesit të djeshëm. Kryefamiljari, pasi ka ekzekutuar me automatik bashkëshorten, ka qëlluar veten, por ka përfunduar i plagosur rëndë në Spitalin rajonal të Durrësit. Burimet policore sqarojnë se vetëm pesë orë pas krimit i është komunikuar masa e arrestit në shtratin e spitalit Agim Hoxhës, pasi ndaj tij rëndojnë veprat penale të vrasjes dhe të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Çifti Hoxha banon në Lagjen Nr. 8 në qytetin e Durrësit. Gjatë mbrëmjes së mërkurë ata kanë shkëmbyer debate të ashpra, të cilat përfunduan me përdorimin e armës nga kryefamiljari. Ai e ka qëlluar me një plumb kallashnikovi në kokë gruan e tij, Bukurije Hoxha, 44 vjeçe, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj, shtetasi Agim Hoxha është vetëqëlluar në trup me armën e zjarrit në fjalë, duke u plagosur rëndë. Burimet spitalore pohojnë se autori i krimit ndodhet në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor dhe forcat e rendit shkuan në vendin e ngjarjes, ku u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e krimit, automatik model 56. “Materialet procedurale iu kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut Durrës.
Gjatë vitit 2010 krimi në familje ka shënuar rritje drastike. Kjo e detyroi kryeministrin Berisha që të lëshojë kritika të ashpra ndaj strukturave të policisë, të cilëve iu kërkoi që të marrin masa të rrepta për të parandaluar krimin në familje, i cili, sipas tij, nuk është i rastësishëm, por vjen pas një sërë konfliktesh.

7 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›