Karburantet, tregtarët spekulojnë me çmimin

Një Shqipëri, një litër naftë po blihet me rreth 15 lekë më shtrenjtë krahasuar me vendet e rajonit. Dëmi ekonomik për xhepat e qytetarëve përllogaritet në më shumë se 5 milionë euro në muaj
Më shumë se 20 lekë për litër është vlera me të cilën konsumatori shqiptar po e paguan më shtrenjtë një litër naftë apo benzinë. Konkluzioni del nga përllogaritja e çmimit aktual në bursa, krahasuar kjo me çmimin në tregun tonë të pakicës. Kështu, çmimi i naftës në Shqipëri është i njëjtë me atë të kohës kur në bursë një fuçi blihej me afro 140 dollarë, ndërkohë që tani ky çmim është përgjysmuar. Kjo tregon se konsumatorët po e blejnë një litër karburant me afro 30 për qind më shtrenjtë në totalin e përgjithshëm të çmimit me pakicë, ose plot 100 për qind më shumë në bazë të kostos së mbërritjes në Shqipëri, pa përfshirë këtu taksat e ndryshme, sikurse janë TVSH-ja me 20 për qind, taksa doganore me 10 për qind, si dhe akciza me plot 37 lekë për litër. Në fakt, asnjë nuk po u tregon tregtarëve të shumicës që çmimin në tregun tonë duhet ta ulin me 30 për qind mbi çmimin e përgjithshëm, por vetëm mbi atë të kostos së naftës pa u taksuar në vendin tonë. Kështu u drejtohemi grosistëve, duke u kërkuar ulje çmimi me 15 deri 20 lekë për litër dhe jo me 45 lekë.
Abuzimi në përqindjeSipas Institutit të Statistikave, rënia e çmimit të karburanteve në tregun tonë të pakicës gjatë muajit të kaluar ka qenë vetëm 3.3 për qind, ndërkohë që duke iu referuar grafikut të bursave, vëmë re se çmimi ka rënë me më shumë se 30 për qind, çka do të thotë me afro 0.2 dollarë për litër, që përkthehet me afro 18 lekë.
Marzhi i fitimit mbi kostonÇmimi i naftës së rafinuar në tregun ndërkombëtar është aktualisht rreth 770 dollarë për CIF tonë (kosto, siguracion dhe transport), e barasvlershme kjo me afro 65 lekë për litër. Këtij çmimi i shtohet akciza prej 37 lekësh për litër dhe TVSH-ja. Në total, kostoja e nxjerrjes së naftës së cilësisë më të lartë në treg sikurse është ajo D1, arrin në 122 lekë për litër, nga 155 lekë për litër që është çmimi me pakicë aktualisht. Sipas të dhënave të përpunuara në redaksinë tonë, kjo është një nga marzhet më të larta të fitimit që është regjistruar ndonjëherë për tregun e naftës.
Grosistët “mbrohen” me ligjNuk mund të lihet pa përmendur fakti, se asnjë kompani importi karburantesh nuk deklaron në degët e tatim-taksave një normë më të lartë rentabiliteti se 5 për qind. Por në fakt, analizat financiare të tregut tonë në raport me bursat, tregojnë se gjatë muajit shtator, grosistët kanë fituar rreth 20 për qind më shumë sesa vlera që u takon, çka do ta çonte normën e tyre rentabël vjetore në rreth 6.8 për qind. Vlen për t’u përmendur këtu edhe vetë politika fiskale e qeverisë, e cila lë shumë për të dëshiruar. E themi këtë, duke u bazuar në faktin se kompanive grosiste të naftës dhe benzinës iu është përcaktuar me ligj norma minimale e fitimit, që është në kufirin e 5 përqindëshit të xhiros. Por këtu lind edhe disbalancimi i tregut nga grosistët dhe shteti, pasi ky i fundit nuk bën mbikëqyrje të rrepta të pasqyrave financiare për të matur vlerën reale të përfituar nga importuesit, ndërkohë që kënaqet me normën që ka përcaktuar vetë. E cili do të ishte ai biznes që do të donte t’i jepte më shumë para shtetit? Cili është ai biznes që, duke gjetur një xhep sado të vogël fiskal, nuk do të fshihej për të shmangur tatimet “e tepërta”?!Çmimet në Shqipëri më lart se në vendet e rajonit
Duke iu referuar çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve në vendet e rajonit, si në Mal të Zi apo Maqedoni, konstatojmë se tek ne çmimi i naftës D2 është 18 lekë më shtrenjtë. Kështu, nga inspektimi i tregut në kryeqytetin malazez, Podgoricë, vëmë re se një litër naftë D2 kushton vetëm 1.05 euro, ose 129 lekë, ndërkohë që ky lloj karburanti në vendin tonë kushton 147 lekë, ose plot 18 lekë më shtrenjtë për litër. Të dhënat janë “të frikshme” edhe për benzinën apo naftën D1, pasi në shtetin fqinj kushtojnë përkatësisht 1.11 euro dhe 1.13 euro, që do të thotë rreth 20 lekë më shtrenjtë se në vendin tonë. Tregtarët e pikave të shitjes me pakicë të karburanteve në Mal të Zi tregojnë se ulja është realizuar vetëm para tri ditësh dhe ka qenë me më shumë se 0.07 euro për litër, çka tregon për reflektim të drejtë të bursave menjëherë në tregun e pakicës. Çmimet e karburanteve janë pothuajse të njëjta edhe në Maqedoni, ku një litër naftë kushton rreth 15 lekë më lirë se tregun tonë.