Më keq se një Pitbull

Brizhid Bardo sulmon kandidaten republikane për zëvendëspresidente, Sarah Palin
Nga jashtë ato duken si dy shpirtra binjakë, që të dyja ambasadore të nivelit të lartë të së djathtës ultrakonservatore, kundër homoseksualëve dhe emigracionit në vendet e tyre përkatëse. Për këtë arsye, fushata “Anti-Sarah Palin” që ka nisur nga aktorja e famshme franceze, Brizhit Bardo, i ka habitur të gjithë. “Në emër të respektit dhe mbrojtjes së natyrës, shpresoj që ju të humbni, sepse kështu bota do të përfitojë”, - shprehet ish-zonja e parë e kinemasë franceze dhe luftëtare e të drejtave të kafshëve në një letër të hapur drejtuar zëvendëses së Xhon Mekeinit, të cilën e akuzon për mungesë totale përgjegjësie ndaj ambientit, duke uruar drejtpërdrejt që ajo të humbë në zgjedhjet e 4 nëntorit. Natyrisht që të gjithë u bënë kuriozë se çfarë e ka inatosur kaq shumë aktoren 74-vjeçare, mbështetëse të liderit të së djathtës ekstreme, Zhan Mari Lë Pen, e që prej vitesh ndodhet nën shënjestrën e së majtës franceze për opinionet e saj të gjykuara ofenduese dhe raciste ndaj myslimanëve dhe homoseksualëve. Bëhet fjalë për qëndrimin e Palin ndaj ambientit dhe botës së kafshëve, që përbëjnë dy prej obsesioneve të Bardosë, e cila akuzohet në Francë se preferon më shumë shoqërinë e kafshëve, sesa të njerëzve. “Duke mohuar përgjegjësinë e njeriut në ngrohjen klimaterike, duke milituar në favor të armëve dhe së drejtës për të vrarë, me gjithë këto deklarata, fryt i një budallallëku të lëkundur, ju zonjë, ofendoni seksin femër dhe përfaqësoni një kërcënim të tmerrshëm, një katastrofë të vërtetë ekologjike”, - shprehet ish-aktorja në letrën e saj. Në qendër të sulmit të Bardosë, themelueses së fondacionit që mban emrin e saj për mirëqenien dhe mbrojtjen e kafshëve, është mbi të gjitha mbrojtja që Palin u ka dhënë shpimeve të kompanive petrolifere në arktikun e Alaskës dhe refuzimi i saj për të mbrojtur arinjtë polarë që kërcënohen nga ngrohja globale. “Kjo gjë tregon mungesën tuaj totale të përgjegjësisë dhe paaftësinë tuaj për të mbrojtur ose thjesht për të respektuar jetën e kafshëve”, - vazhdon letra. Duke u kapur pas një batute që kandidatja për zëvendëspresidente bëri gjatë Konventës së Republikanëve, ku u vetëquajt “një Pitbull (racë qeni) me buzëkuq”, Bardo i lutet që të mos krahasohet më me qentë. “Unë i njoh mirë dhe ju siguroj se ju nuk jeni aspak një “Pitbull”, pasi asnjë qen dhe asnjë kafshë nuk është aq e rrezikshme saç jeni ju”, -shprehet Bardo.