Shtet i kapur nga mafia

Ish-kryetari i Kuvendit e quan Gërdec tjetër çështjen Fazliç dhe vëren se institucionet janë jashtë loje. Servet Pëllumbi u bën thirrje organeve të drejtësisë, por edhe atyre politikë që të veprojnë për të parë ku ka shkelje ligjesh e ku mafia ka kapur shtetin
Servet Pëllumbi mendon se të gjithë institucionet kanë qenë jashtë loje, ashtu sikundër ndodhi në rastin e shpërthimit në Gërdec. I pyetur nga “Korrieri” lidhur me punën e institucioneve dhe të SHIK-ut gjatë ardhjes së Damir Fazliç në Tiranë e largimin sërish nga shteti shqiptar, ish-kryetari i Kuvendit tha: “Të gjithë këto institucione kanë qenë jashtë loje, ashtu sikurse ishin jashtë loje për Gërdecin, dhe kështu janë edhe për këtë “Gërdecin Fazliç”. Profesor Pëllumbi e cilësoi si një skandal edhe pjesëmarrjen e biznesmenit serbo-boshnjak në takimin raportues për sigurinë, pjesë e të cilit ishin kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi; ish-ministri i Punëve Publike, Lulzim Basha, me praninë edhe të një delegacioni amerikan të kryesuar nga ish-këshilltari i kryeministrit Tom Rixh, por mundet përpara se ky të emërohej në atë pozicion. Sakaq, themelues i PS-së, Servet Pëllumbi kërkon më shumë veprim nga ana e institucioneve, por edhe e politikës. “Ku ka nevojë për komente për këtë çështje. S’ka nevojë për komente, ka nevojë për veprim. Ka nevojë që organet e drejtësisë të veprojnë. Ka nevojë që forcat politike të veprojnë. Parlamenti të veprojë. Pra, jo shumë llafe, por më tepër veprime. Të veprojë për t’i qartësuar gjërat. Për të parë se ku ka shkelje ligjesh dhe ku mafia ka kapur shtetin. Ky është mendimi im”, - u shpreh Servet Pëllumbi. Ish-kreu i Kuvendit mendon se edhe parlamenti duhet të luajë rolin e vet për zbardhjen e kësaj çështjeje. Pëllumbi nuk përjashton as mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor për të mësuar të vërtetën. “Të gjitha. Çfarë të jetë e mundur të bëhet për të sqaruar situatën tepër të ndërlikuar, ku shteti është kapur nga mafia”, - iu përgjigj ai pyetjes nëse e mendonte që duhet të ngrihej një komision hetimor. Sipas Pëllumbit, ky është një nga rastet e shumta ku kryeministri Sali Berisha duhet të kishte lënë imunitetin e të jepte dorëheqjen. “Ai deri tani ka aq shumë shkaqe për të dhënë dorëheqjen, por ai nuk e bën po nuk e detyruan”, - tha Pëllumbi, që u kërkon si institucionit të prokurorisë, por edhe politikës që të veprojnë. Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazliç, akuzohet nga opozita për veprimtari të paligjshme, lidhje të dyshuara kriminale dhe trafiqesh dhe se ka qenë person që ka përfituar në sajë të afrimitetit me familjarët e kryetarit të qeverisë, Sali Berishës dhe rrethit të ngushtë të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Prokuroria gjithashtu nisi regjistroi një procedim penal për Fazliçin, me akuzën për pastrim parash. Damir Fazliç erdhi befas në fillim të javës në Tiranë për disa orë, dhe u paraqit në një intervistë në një rrejt televiziv me licencë kombëtare. Fazliç ka mohuar plotësisht çdo akuzë që i është bërë, pavarësisht se ka pohuar, sikurse është shprehur, se “falë Zotit” i bëri 50 milionë dollarë fitime brenda tre vjetëve, periudhë që përkon me qenien në pushtet të personave që janë pjesa e lidhjeve të tij “miqësore”.