E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zero imunitet

Kreu i deputetëve demokratë thotë se kufizimi i imunitetit do të bëhet për të gjithë zyrtarët që e kanë atë, përfshirë edhe ministrat e gjyqtarët. Sipas tij, mazhoranca kërkon ti realizojë nismat kryesore në bashkëpunim me opozitën

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, thotë se mazhoranca është e vendosur që t’u shkojë deri në fund nismave të saj antikorrupsion. Megjithatë, ai shpjegon se për realizimin e këtyre nismave do të kërkohet gjithnjë konsensusi i opozitës. Duke folur për ndërhyrjen në Kushtetutë, Patozi thotë se kjo do të shërbejë për kufizimin e imunitetit të të gjithë zyrtarëve që kanë këtë “mburojë”. Kreu demokrat flet edhe për zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike, ndërsa shpjegon arsyen e miratimit të dy udhëzuesve nga kryesia. Ai shpjegon se udhëzuesi i parë ishte një projekt-udhëzues dhe nuk merrte parasysh sistemin proporcional-rajonal. Kështu që udhëzuesi i dytë, i cili shfuqizoi të parin, merr parasysh edhe sistemin e ri zgjedhor dhe strukturën e re të Partisë Demokratike. Ndërkaq, një çështje tjetër që ishte në njëfarë mënyre edhe risi e këtyre ndryshimeve të strukturave të PD-së, ishte edhe ajo e emërimit të 12 koordinatorëve rajonalë nga kryesia e Partisë Demokratike. Duke folur për rolin e tyre, Patozi thotë se ata do të shërbejnë si një hallkë lidhëse mes qendrës dhe bazës, dhe detyra e tyre do të jetë vetëm koordinimi

    -Pas publikimit të raportit të “Transparency International”, deklaratat e mazhorancës tregojnë se ka nisur një luftë më e ashpër ndaj korrupsionit. Këtë e tregojnë nismat dhe deklaratat si ajo për kufizimin e imunitetit, heqja e privilegjeve për deputetët, për transparencën në financimin e partive etj. Të gjithë këto nisma që ka deklaruar mazhoranca, do të arrijë t’i përfundojë deri para zgjedhjeve të ardhshme?

“Ne kemi synim që t’i përfundojmë sa më shpejt që të jetë e mundur ato nisma, dhe nuk kanë lidhje me zgjedhjet e ardhshme. Ne, edhe sikur t’i mbyllnim brenda muajit, do të ishim shumë të kënaqur. Megjithatë, këto janë nisma që nuk bëhen vetëm dhe ne duam t’i bëjmë në bashkëpunim me opozitën. Kjo është çështja, nuk ka gjë tjetër.”

-Për sa u përket privilegjeve të deputetëve, do të ndërmarrë ndonjë nismë ligjore mazhoranca për të ndryshuar ligjin “Për statusin e deputetit”, sepse kjo është deklaruar edhe nga kreu i qeverisë?

“Ky është një proces që do të zgjidhet, dhe kjo do të arrihet edhe me konsensusin midis kampeve”.

-Një konsensus i arritur me opozitën është edhe ai për ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imunitetit. Cilët zyrtarë synon ky kufizim: vetëm deputetët apo edhe zyrtarët e tjerë të lartë, p.sh. gjyqësorin?

“Së pari, nuk është një marrëveshje me opozitën, por me të gjithë grupet parlamentare. Synimi është që të rrëzohet muri i imunitetit për të gjithë nivelet e zyrtarëve të lartë që kanë imunitet”.

-Përfshirë edhe ministrat?

“Ministrat janë më vulnerabël sesa të tjerët”.

-Ndalemi pak tek zgjedhjet e strukturave të Partisë Demokratike. PD-ja miratoi pak ditë më parë një udhëzues të ri për zgjedhjet e brendshme. Ndërkohë që më parë ishte miratuar edhe një udhëzues tjetër për nisjen e zgjedhjeve në bazë, proces i cili u duk që nuk funksionoi mirë. Pse ndodhi kjo?

“Udhëzuesi i dytë anulon të parin. Pra, ka një udhëzim dhe ky është një udhëzues që e ka miratuar kryesia. Ai i pari ka qenë një draft-udhëzim dhe ka vetëm një; këtë që ka miratuar kryesia javën e kaluar. Dhe ky do të jetë udhëzimi me të cilin do të punojë partia me zgjedhjet e veta”.

-Zgjedhjet e para nuk funksionuan dhe këtë e tregon edhe miratimi i udhëzuesit të dytë. Pse mendoni se nuk funksionuan ato zgjedhje?

“Nuk është ashtu. Ai ishte një projekt-udhëzim, i cili nuk merrte parasysh ndryshimet që u bënë në Kushtetutë për sistemin zgjedhor. Pra, Partia Demokratike i është përshtatur sistemit proporcional rajonal në udhëzimin e dytë”.

-Në këtë udhëzues parashikohet që të ketë 12 koordinatorë për secilin rajon. Këta koordinatorë do të komandohen nga kryesia. Do të thotë kjo që Partia Demokratike mbetet me një pushtet të centralizuar?

“Fjala “koordinator” do të thotë njeri që koordinon, që nuk ka shumë pushtet. Ai do të jetë një lloj hallke lidhëse në mes Partisë Demokratike në qendër dhe bazës në qarqe”.

-Kompetencat e këtyre koordinatorëve do të përcaktohen me ndonjë rregullore specifike?

“Mos e ndërliko kaq shumë. Këto janë koordinatorë, kurse të gjithë strukturat e tjera të Partisë Demokratike do të jenë të zgjedhura, të gjitha degët, seksionet, grupseksionet etj. Do të jenë të zgjedhurit, ata që do t’i japin tonin fushatës dhe jo të emëruarit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›