PS: Qeveria të plotësojë 6 kushtet kryesore, ne do të lëmë grevën
Nëse qeveria plotëson 6 kushtet kryesore të Partisë Socialiste, greva e urisë përpara Kryeministrisë do të përfundojë. Kushtet kryesore i ka paraqitur dje deputeti grevist, Fatmir Xhafa. “Të bindur se protesta jonë dhe kulmimi i saj janë një zgjedhje e detyruar për shkak të qeverisë që nuk dëgjon pretendimet e opozitës, paralajmërojmë se protesta jonë dhe kjo grevë urie do të ndalen vetëm kur të angazhohen publikisht palët”, - ka pohuar Xhafa. Transparenca e pakushtëzuar përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë dhe duke e shtrirë rrezen e hetimit mbi të gjithë problematikën e vënies së shtetit në shërbim të pushtetit për qëllime është një prej kushteve. Një tjetër kusht i rëndësishëm është edhe transparenca në funksionimin e Kuvendit me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj qeverisë, përfaqësimin e ekuilibruar të shumicës dhe të opozitës në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe delegacionet parlamentare, kufizimin e imunitetit ndaj akuzave për korrupsion dhe arritjen e konsensusit për miratimin e një sërë ligjeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, transparenca e shifrave të ekonomisë dhe dhënia fund e praktikave të kundërligjshme e të rrezikshme të dezinformimit dhe manipulimit të publikut me shifra të deformuara për qëllime politike që nuk reflektojnë realitetin e ekonomisë shqiptare; transparenca në funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve dhe të Radio Televizionit Shqiptar, përmes miratimit me konsensus të një kuadri të ri ligjor dhe rregullator të standardeve të Bashkimit Europian, si edhe pranimit të një ekuilibri të ri në bordet përkatëse të tyre; transparenca në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë për të mundësuar miratimin me konsensus parlamentar të kandidaturave të zgjedhura, bazuar në kritere të meritës dhe profesionalizmit e jashtë ndikimeve politike, si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës. Transparenca mbi hetimin e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, që do të garantonte zbardhjen e menjëhershme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vrasjes, është edhe ky një prej kushteve kryesore që paraqet Partia Socialiste.
11 Maj 2010