E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburanti në pikat e Tiranës, më i shtrenjtë se përgjatë vijës bregdetare

Autori i Lajmit: red.
Të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve në Tiranë po vazhdojnë të mbajnë çmimet më të larta, krahasuar edhe me zonat turistike bregdetare, ku kërkesë-oferta rritet dukshëm në këtë periudhë të vitit falë sezonit turistik. Gjatë një vëzhgimi të kryer në vijën bregdetare Sarandë-Tiranë evidentohet se ndryshimi në çmimin e shitjes së naftës Diezel-1 (Eurodiezel), dhe benzinës, varion nga 5-8 lekë për litër, edhe pse ato mbajnë të njëjtat emra të firmave grosiste. Por ndryshe nga një vit më parë, ku çmimet më të larta të karburanteve ishin në aksin rrugor të vijës bregdetare joniane, këtë vit ndodh e kundërta. Ato janë më të larta në pikat e karburanteve në Tiranë. Në aksin rrugor Sarandë-Himarë, tendenca për çmimet më të larta arrin në qytetin e Himarës. Kështu ndërsa në Sarandë, D-1 shitej me 167 lekë/litër, D-2 me 165 lekë/litër dhe benzina me 166 lekë/litër, në tre pikat e tregtimit të karburanteve në Himarë, D1 shitej me 170 lekë/litër, D2 me 168 lekë/litër dhe benzina me 169 lekë/litër. Në aksin rrugor Vlorë-Durrës në të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve çmimet e shitjes për D1-shin variojnë nga 168-166 lekë/litër, por tendenca flet për uljen e çmimit përgjatë autostradës sa më shumë që i afrohesh qytetit të Durrësit. Në tregun e shitjes me pakicë në Vlorë nafta D-1 shitej me 168 lekë/litër, D-2 me 165 lekë/litër dhe benzina me 165 lekë/litër. Në aksin drejt Durrësit çmimet variojnë nga 166-165 lekë/litër për naftën D-1, në 162 lekë/litër për D-2 dhe 160 lekë/litër për benzinën. Ndërsa në Tiranë, nafta D-1 (eurodiezel), vazhdon të shitet me 169-170 lekë/litër, D-2 me 167 lekë/litër dhe benzina me 167 lekë/litër. Shoqata e grosistëve të tregtimit të karburanteve ka deklaruar së fundi, se çmimet do të ulen me 5 lekë/litër javën që vjen. Por fakti që të njëjtat firma tregtuese vazhdojnë të mbajnë çmime të ndryshme në pikat gjeografike të vendit, tregon se abuzimet janë më të larta në Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 01/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›