Kardinale takohet me Topin, vlerëson artin shqiptar

Presidenti Bamir Topi, ka pritur aktoren e mirënjohur të kinemasë italiane, Klaudia Kardinale, e cila ndodhet në vendin tonë, si e Ftuar Nderi në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, që po zhvillohet këto ditë në Durrës.
Kreu i Shtetit, duke vlerësuar interpretimet e spikatura e me nivel të lartë artistik të artistes së famshme e të mirënjohur botërisht, vuri në dukje se interpretimet kinematografike përbëjnë një sferë të rëndësishme të shprehjes dhe të transmetimit të emocioneve e mesazheve edukuese tek njerëzit, prandaj realizimi i suksesshëm i të gjithë kompenentëve të filmit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë e të qartë në përçimin e këtyre mesazheve.
Gjithashtu presidenti Topi i dhuroi zonjës Kardinale si një kujtim institucional, një figurinë artistike të shenjtores shqiptare me famë ndërkombëtare, “Nënë Terezës”.
Nga ana e saj, aktorja e shquar italiane me famë botërore, Klaudia Kardinale, pasi falënderoi Presidentin Topi për mikpritjen e ngrohtë, shprehu vlerësimet e saj më të mira për Shqipërinë, artin dhe artistët shqiptarë, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës, si një ngjarje artistike tradicionale që jo vetëm evidenton vlerat e fushës së kinematografisë, por kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e urave kulturore dhe forcimin e lidhjeve artistike e shpirtërore mes popujve të ndryshëm.