E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardinali Ortega: “Kuba është në krizë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Havanë – Kreu i Kishës Katolike në Kubë deklaroi se vendi është duke kaluar njërën prej krizave më të rënda, kohët e fundit, dhe njerëzit hapur po kritikojnë sistemin socialist. Kardinali Jaime Ortega deklaroi për një gazetë lokale katolike se ekziston konsensusi kombëtar që qeveria duhet ti bëjë ndryshimet “shpejt”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve komuniste të lirojnë të gjithë të burgosurit politikë. Gazetari i BBC-së, Michael Voss, i cili raporton nga kryeqyteti kuban, thotë se kjo nuk është hera e parë që kardinali Ortega flet haptazi për situatën aktuale në Kubë, por intervista e tij me “Palabra Nueva” (Fjalën e Re) ishte më e drejtpërdrejta se çdo deklaratë e tij e mëparshme. Kardinali 73-vjeçar tha gjithashtu se njerëzit tashmë flisnin hapur për mungesat e sistemit socialist kuban, duke e krahasuar atë me një sistem burokratik stalinist që prodhonte punëtorë apatikë dhe produktivitet të ulët. Kardinali kritikoi dhe frikësimin dhe arrestimin e disidentëve dhe protestuesve që nuk kanë qenë të paktë këto muajt e fundit. “Vendi ynë është në një situatë shumë të vështirë”, - paralajmëroi ai. “Sigurisht, kjo është situata më e vështirë që ne kemi jetuar në shekullin XXI. Presidenti aktual, Raul Kastro, ka arritur të bëjë disa reforma ekonomike të vogla, por ka paralajmëruar njëkohësisht se ndryshimet e tjera do të kërkojnë kohë, raporton korrespondenti i BBC-së. Kardinali Ortega tha se njerëzit kishin mendime të ndryshme për zgjidhjen e shqetësimeve të vendit, por të gjithë ishin dakord në pikën se “ndryshimet e nevojshme duhet të bëheshin me shpejtësi”. “Unë mendoj se kjo ndjenjë është shndërruar në një formë konsensusi dhe vonimi i ndryshimeve po sjell padurim dhe pakënaqësi mes njerëzve”. Ai iu referua gjithashtu vdekjes së fundit të një grevisti disident në grevë urie, por dhe pakënaqësive gjithnjë e në rritje të “Zonjave me të bardha”, (gratë dhe nënat e të burgosurve politikë). Jaime Ortega kritikoi gjithashtu presidentin amerikan, Barak Obama, se kishte dështuar të riniste edhe një herë tjetër dialogun me Kubën dhe se po ndiqte politikat e paraardhësve të tij. Ortega tha se Obamës i mungonte vullneti për ti dhënë fund embargos ekonomike që ka paralizuar shkëmbimet tregtare të vendit prej dekadash. Vetëm një javë më parë, artistja amerikano-kubane, ylli i muzikës pop, Gloria Estefan, gjatë një veprimtarie për mbledhjen e fondeve, ka kërkuar nga presidenti Barak Obama të punojë për lirinë e disidentëve të burgosur në Kubë, çka duket se do të ngjallë zemërimin e sundimtarëve komunistë të ishullit. Estefan dhe bashkëshorti i saj, Emilio Estefan, organizuan për Obamën një pritje kokteil në qytetin e tyre, Miami, e para ndër dy veprimtaritë fondmbledhëse të Partisë Demokratike, në të cilat ai mori pjesë gjatë një vizite në Florida. Gjatë pritjes, Obamës iu dorëzua një letër nga nëna e disident kuban Orlando Zapata Tamajor, i cili vdiq më 23 shkurt, pas një grevë urie 85-ditore për të protestuar për kushtet e burgut në vend. Kuba po vuan nga vështirësia më e rëndë ekonomike, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, raporton BBC. Kriza ekonomike globale, embargoja e vazhdueshme e SHBA-së dhe uraganet e fundit kanë ndikuar në ekonominë shtetërore.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›