E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardinali i Kubës kërkon reforma

Kreu i Kishës Katolike në Kubë thotë se vendi ndodhet në krizë dhe njerëzit po e kritikojnë hapur sistemin socialist.

Në një intervistë për një revistë fetare, Kryepeshkopi i Havanës, Kardinali Jaime Ortega, tha se kubanët po kërkojnë ndryshime të shpejta.

Kjo nuk është hera e parë që Kardinali Jaime Ortega flet hapur për zhvillimet aktuale në Kubë, por intervista e tij e fundit ishte shumë më e drejtpërdrejtë.

Kreu 73-vjeçar i Kishës Katolike në Kubë tha se njerëzit po flisnin hapur për dështimet e sistemit socialist, të cilin ai e quajti 'sistem burokratik i tipit stalinist që prodhonte punëtorë apatikë dhe prodhimtari të ulët'.

Kriza ekonomike globale, embargoja tregtare amerikane dhe pasojat e uraganeve të fundit kanë pasur një ndikim shumë negativ mbi ekonominë e dobët kubane, e cila administrohet nga shteti.

Presidenti Raul Kastro ka ndërmarrë disa reforma të pjesshme dhe ka paralajmëruar se duhet kohë për të kryer reforma më të gjera.

Kardinali Ortega paralajmëron se çdo vonesë në kryerjen e ndryshimeve ngjall padurim dhe pakënaqësi te kubanët.

Në intervistën e tij Kardinali Ortega kritikoi, edhe presidentin e SHBA-së, Barack Obamën, për shkak të mos-fillimit të një dialogu të qenësishëm me Kubën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›