Kardiologji, vazhdon ende mungesa e shtretërve

>Në pavijonin e kardiologjisë në QSUT vazhdon të mbetet po e njëjta gjendje, si në ditët e fundit të vitit që shkoi. Fluksi i pacientëve vazhdon të mbetet i madh por numri i shtretërve vazhdon të jetë po i njëjtë, edhe pse drejtoria kish premtuar zgjidhje të këtij problemi që në ditët e para të këtij viti. Por shtretërit nuk janë i vetmi problem që ekziston në pavijonin e kardiologjisë. Mungesa e medikamenteve vazhdon të mbetet një tjetër problem serioz.
Mjekët shprehen se janë të shqetësuar për problemet dhe presin një zgjidhje nga drejtoria. Pavijoni vazhdon të mbetet i mbipopulluar dhe shumë pacient i marrin mjekimet në karroca. Numri i pacientëve në këtë pavijon arrin mbi 100 persona në ditë, dhe kjo është e pa përballueshme me shtretër nga ana e këtij pavijoni. Një prej mjekeve të këtij pavijoni shprehet, nga drejtori na është premtuar një zgjidhje e problemit të shtretërve në këtë pavijon por ende nuk janë marrë masa. Sipas tyre në fillim të këtij viti gjendja do të ndryshonte dhe do të shtohej numri i shtretërve por siç e shikoni ende ne i mjekojmë pacientët në karrige. Shtimi i pacientëve ka ardhur si pasojë e ndryshimeve klimaterike por dhe nuk është një problem që e hasim vetëm në këto ditë të ftohta. Edhe në verë është e njëjta gjendje si pasojë e vapës së madhe. Të sëmurët kardiak kanë shumë probleme në stinët kur ndryshojnë temperaturat dhe kanë nevojë për mjekime, ndaj edhe fluksi është tepër i madh. Një tjetër arsye pse ka kaq shumë fluks është se, të gjithë pacientët e sëmurë nuk shkojë për vizitë apo kontrolle te mjeku i familjes por vijnë direk këtu. Për këtë gjendje është bërë ankesë në drejtori, dhe si fillim zgjidhja që na dhanë ishte ti çonim pacientët në pavijone të tjerë, por kjo nuk ishte një zgjidhje e drejtë. Gjithashtu na është premtuar që do të pajiset me shtretër të tjerë por që për momentin ende nuk kanë ardhur. Ndërsa përsa i përket problemit të medikamenteve, me sa di tenderi është mbyllur dhe pritet që ilaçet të vijnë këto ditë, por ende nuk kanë ardhur, ende kemi mungesë ilaçesh por jo mungesë të theksuar. Pacientët në këtë pavijon shprehen se i shqetëson gjendja që ekziston në pavijon në këto kohë. shiko se në ç gjendje është? Nuk mund të qëndrojë në këmbë, ka edhe të vjella. Këtu i bënë disa mjekime dhe më thanë që disa të tjera nuk i kanë. I ka të nevojshme ato ilaçe po ku ti gjej unë kur nuk janë këtu në spital, shprehet një zonjë tepër e revoltuar duke dalë nga pavijoni i kardiologjisë së bashku me të shoqin e sëmurë. Mungesa e medikamenteve dhe problemi i shtretërve vazhdojnë ende të mbeten probleme shqetësuese në pavijonet e QSUT, deri sa drejtoria të marrë masa konkrete dhe jo të bëjë vetëm premtime.