E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, i kundërshtohet martesa nga familja, vetëvaret 22 vjeçari

/>Viktima, mesazh telefonik të dashurës: Po var veten, pasi nuk dua të qëndroj larg teje për tërë jetën
Dashuria për një vajzë dhe pengesa që haste për këtë dashuri nga prindërit, e ka çuar një të ri drejt vetëvarjes. Ka qenë ora 10:30 e ditës së djeshme kur Orgert Ramadani, 22 vjeç, është gjetur i varur me një litar në degën e bajames në afërsi të një përroi në fshatin Piskovë të Përmetit. Vendimi fatal i të riut, u mor fill pas një serie debatesh të ashpra mes tij dhe prindërve për lidhjen sentimentale që ai kishte me një moshatare nga Tepelena. Orgerti kishte marrëdhënie prej disa kohësh me të dashurën e tij nga një fshat i Tepelenës, duke i premtuar njëri-tjetrit dashuri të përjetshme dhe lidhje martesore. Në familje ai ia kishte përcjellë disa herë të atit të tij, Pëllumbit, qëllimet për një lidhje serioze mes tyre çka nuk është mirëpritur. Në orët e vona të mbrëmjes së premte, është zhvilluar një debat mjaft i ashpër mes të riut dhe prindërve të tij pikërisht rreth kërkesës që ai riparashtroi në familje, martesën me vajzën nga Tepelena emri i të cilës nuk është mësuar nga autoritetet policore për shkaqe sigurie. Mirëpo mohimi i pambarimtë i prindërve për të refuzuar ardhjen e nuses në shtëpi, ka zgjatur edhe në orët e mëngjesit të sotëm.
Debati në familje
Me shpresën e qetësimit të situatës së krijuar nga një ditë më parë, i riu 22- vjeçar e riçeli edhe një herë debatin, por kësaj radhe ka qenë më i prerë dhe i vendosur për të ndërmarrë një veprim qoftë edhe sublim. Madje ai ka arritur në një moment tu drejtohej prindërve se o do të merrte atë vajzë për grua, ose do të varte veten. Kjo fjali është përsëritur nga viktima tri herë brenda 60 minutave në debat e sipër dhe hera e fundit që e tha, u shoqërua me largim demonstrativ nga ambientet e shtëpisë. Në këtë moment Pëllumbi, i ati i 22- vjeçarit, e ka ndjekur të birin pas nga frika se deklaratën e ripërsëritur, do ta kthente në realitet. Dhe kështu ndodhi. Pas orës 10:00 të paradites së djeshme, Orgerti është gjetur i varur në një degë bajameje në afërsi të përroit të Koritës pranë vreshtave të fshatit. Një litar i bardhë që përdoret për stivosjen e jonxhës në kafshët e punës, ka shërbyer më së miri për të mbajtur peshën e të riut në degën e pemës ku dha shpirt. Kufoma është gjetur nga djali i xhaxhait të tij, i cili e kërkonte së bashku me të atin, Pëllumbin. Ky i fundit pati deklaruar se djali i tij në momentin e ikjes nga shtëpia, është fshehur për tiu shmangur në këtë mënyrë gjetjes. Ulërima dhe grushte në kokë kanë qenë veprimet e të atit të viktimës, në momentin kur pa fëmijën me sytë e tij të varur në pemë. Ai ka rënë për tokë nga shoku dhe është ndihmuar nga i nipi i tij për tu përmendur. Më pas viktimën e kanë çliruar nga laku i vendosur në grykë, duke e përcjellë drejt shtëpisë. Kontakti i tij i fundit me të dashurën, ka qenë përmes një mesazhi në celular. Unë po var veten, pasi nuk dua të qëndroj larg teje për tërë jetën, ka qenë mesazhi i dërguar nga Orgerti drejt numrit të celularit të të dashurës. Policia nga ana e vet, sapo është njoftuar, ka shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me grupin hetimor për të vlerësuar situatën e ndodhur. Për të shmangur një tragjedi të dyfishtë, organet policore përmes celularit të viktimës kanë gjetur vendndodhjen e vajzës që dashurohej nga Orgerti. Uniformat blu kanë kontaktuar me prindërit e vajzës ku i kanë informuar për ngjarjen, duke u sugjeruar të mos e njihnin vajzën e tyre për ngjarjen e ndodhur me qëllim shmangien e një tragjedie tjetër. Ky është rasti i parë që ndodh në jug të vendit, që një i ri vret veten nën depresion për një dashuri. Mësohet se gjendja mendore të prindërve të viktimës është rënduar së tepërmi, sidomos pasi kanë mësuar lajmin e hidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›