E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH parashikon rritje të sigurimeve shëndetësore për 2009

/>Parashikohet që të ardhurat për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor këtë vit të jenë 10.3 % më shumë se programimi i vitit që sapo kemi lënë pas. Sipas strukturës buxhetore, parashikimi i të ardhurave ndahet në kontributin e sigurimeve shëndetësore, transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe të ardhura të tjera. Ndërkohë, kontributi i sigurimeve shëndetësore mblidhet nga organet tatimore për të gjithë subjektet tatimpaguese me TVSH, si dhe biznesin e vogël. Për vitin 2009 pritet që niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore të arrijë në 6 329 milionë lekë, ose 22.35 % më shumë nga plani 2008, bëhet e ditur nga të dhënat e ISKSH-së. Kjo  mbështetet në rritjen e numrit të kontribuuesve, si dhe në rritjen e pagës mbi të cilën do të paguhen këto kontribute. Sipas të dhënave, kontributet nga sigurimet shëndetësore zënë 51.41 % të totalit të të ardhurave nga ISKSH. Përsa i përket shpenzimeve për këtë institucion, ato janë parashikuar të balancuara me të ardhurat, pra 16 562 milionë lekë, të ndara këto për rimbursimin e barnave, financimin e kujdesit shëndetësor parësor, për ekzaminimet unikale terciare, shpenzimet administrative, për investime, si dhe për financimin e spitalit të Durrësit. Nga të dhënat e ISKSH-së gjithashtu mësohet se, "shpenzimet e rimbursimit të barnave parashikohen të arrijnë në rreth 4 510 milionë lekë, ose 5.6 % më shumë se programimi i vitit 2008". Me këtë shifër, shpenzimet e përllogaritura të rimbursimit për 2009 përbëjnë rreth 36.64 % të totalit të shpenzimeve të ISKSH-së për këtë vit. Në këtë përllogaritje janë marrë parasysh efekti i ndryshimit të çmimeve për 2009 (rreth 200 milionë lekë), efekti financiar nga zgjerimi i Listës së Barnave të Rimbursueshme (rreth 900 milion lekë), si dhe faktorë të tjerë, të cilët duhet të merren në konsideratë në planifikimin e shpenzimeve të rimbursimit. Shpenzimet për financimin e kujdesit shëndetësor parësor zënë 50.77 % të totalit të shpenzimeve të ISKSH", sqarojnë të njëjtat burime, sipas të cilave, rimbursimi i shpenzimeve unikale terciare gjatë këtij viti është parashikuar në shifrat 140 milion lekë. Ndërkohë, shpenzimet administrative për këtë vit parashikohen të jenë 610 milion lekë, ose 16 % më shumë se plani i vitit 2008.      

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›