Karizëm, karizmatik
Edmond Tupja
Këto dy fjalë – njëra emër,tjetra mbiemër – që kanë hyrë e po përdoren jo rrallë në gjuhën shqipe – të folur e të shkruar
– sidomos nga një pjesë e mirë e sërës intelektuale, kanë kohë që kanë tërhequr vëmendjen time deri diku pozitivisht të mbrapshtë. Kështu, kryesisht për këtë apo atë lider ose, më shqip, udhëheqës partie, për këtë apo atë personalitet të shquar a të pashquar jo vetëm të politikës, por edhe të jetës shoqërore e kulturore, madje edhe të arteve e të shkencave, thuhet se ka karizëm, se është karizmatik.Si dashnor i gjuhës shqipe, vërej me një habi deri diku të shqetësuar, por edhe me njëfarë keqardhjeje, që këto dy fjalë po zëvendësojnë, në kontekstet e sapopërmendura, fjalët përkuese shqipe “magjepsje, tërheqje, joshje, ngashënjim, ndikim” etj., nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ato “magjepsës, tërheqës, joshës, ngashënjyes, që të bën për vete” etj. Prandaj, sa herë dëgjoj në radio, shoh në televizor apo lexoj në gazeta, revista e botime të formateve të tjera, fjalët “karizëm” e “karizmatik”, rrekem të kap arsyen e nëndheshme të përdorimit të tyre të shpeshtë në gojën e në penën e politikanëve, pushtetarëve e opozitarëve, të analistëve, opinionistëve e gazetarëve tanë të mediave të shkruara dhe elektronike.
Së pari, po i kujtoj lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm se këto dy fjalë vijnë në shqipe në funksion të njohurive që ka, në këtë apo atë gjuhë të huaj, individi i racës homo albanicus, pra, nga anglishtja (charisma, charismatic), nga frëngjishtja (charisme, charismatique) ose nga italishtja (carisma, carismatico). Unë e kuptoj që kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e vërshimit të fjalëve të huaja në gjuhën time dhe tuajën, pra, tonën, pas shembjes së regjimit komunist që bëri çmos të na veçonte e të na ndante nga bota e zhvilluar edhe në lëmin e pasurimit të leksikut të shqipes nëpërmjet, veç të tjerave, edhe huazimeve gjuhësore të nevojshme e të pashmangshme. Së dyti, ajo që nuk kuptoj dhe që, rrjedhimisht, dua ta ftilloj si për vete, ashtu edhe për lexuesin tim të vëmendshëm e të paanshëm, është arsyeja, siç sapo e përmenda, e përdorimit gati sistematik të fjalëve “karizëm” e “karizmatik” në një kohë që shqipja ka plot fjalë e shprehje sinonimike që e përcjellin shumë mirë nocionin që bartin. Së treti, pas një analize të gjatë, të gjerë e të thellë, gati shteruese, kam përshtypjen se përdorimi i tyre në sferat e lartpërmendura vjen edhe si pasojë e tërthortë e futjes në lojë të një mekanizmi jo të vetëdijshëm, d.m.th. të pandriçuar e të pakontrolluar nga ndërgjegjja e përdoruesve të tyre. Po shpjegohem.
Diku thellë në nënvetëdijen apo, ndoshta, edhe në pavetëdijen kolektive të politikanëve, pushtetarëve dhe opozitarëve tanë, të analistëve, opinionistëve e gazetarëve tanë të mediave të shkruara e elektronike, atje ku arsyeja e logjika, pra, racionalja nuk futen dot lehtë ose nuk futen dot fare, fjalët “karizëm” e “karizmatik” duhet të kenë gjetur një mbështetje (apo suport, siç thuhet sot, fjalë kjo që të kujton termin mjekësor “supostë”, një mjekim ky që merret vetëm nga anusi, term mjekësor edhe ky, të cilin disa psikanalistë e konsiderojnë si një nga vatrat e agresivitetit tek njeriu i djeshëm, i sotëm dhe i ardhshëm), pra, fjalët “karizëm” e “karizmatik” duhet të kenë gjetur një mbështetje që u mundëson përdoruesve të tyre të nderuar të shfaqin, duke e sublimuar, (po përdor edhe unë një term psikanalize) njërën prej prirjeve më të turbullta e më agresive të libidos së tyre, që kushedi se ç’dëme mund të bënte po të mos shfaqej e pastruar përmes fjalëve “karizëm” e “karizmatik”, ku, sidoqoftë, gjurmët e saj duken thuajse sheshit në tri-katër shkronjat e tyre të para.
Së fundi, sipas mendimit deri diku fort të çuditshëm e befasues të kolegut dhe mikut tim të ri Françesk Armadhi, fjala “karizmatik” mund të përqaset me fjalën “prizmatik”, me të cilën edhe rimon, si më poshtë: fillimisht, le ta ndajmë fjalën “prizmatik” në dy pjesë, “priz” dhe “matik”; pastaj, le të analizojmë pjesën “priz” që detyrimisht na kujton fjalën “prizë”; kjo e fundit, thuajse po aq detyrimisht, na sjell ndër mend fjalën “spinë”, meqenëse priza është konceptuar e realizuar që t’i futet vetëm spina me qëllim që të kalojë rryma; kjo e fundit, pra, spina, na shpie automatikisht te tri-katër shkronjat e para të fjalës “karizmatik”, të cilat, edhe ato, shenjojnë njëfarë spine, e cila futet në njëfarë prizë që të kalojë njëfarë rryme (por çfarë rryme se!). Kur e pyeta se ku kërkonte të dilte me arsyetimin e tij krahasues, Françesk Armadhi m’u përgjigj: “Përfundimet e arsyetimit tim kam nderin t’ua lë t’i nxjerrin përdoruesit e spinës”. Mos vallë e kishte fjalën (Perëndia më ndjeftë në qofsha i gabuar!) për ata që kanë karizëm, pra, që janë karizmatikë, dhe që shpesh e përdorin këtë cilësi për t’ua futur të tjerëve në prizën e trurit spinën e realizimit të qëllimeve të tyre me qitje të afërt, të mesme e të largët?