Divorci e depresioni, dy të vetëflijuar
KORÇE/ PESHKOPI - Divorci e depresioni marrin dy jetë të tjera. Një burrë vari veten në Devoll, pasi nuk përballonte dot ndarjen, ndërsa një grua nga Mati u vetëmbyt në lumë. Nezhdet Kutrolli, 58 vjeç, banor i fshatit kufitar Kapshticë u gjet i pajetë nga të afërmit e tij, i varur te telat e energjisë elektrike, brenda kuzhinës së shtëpisë. Në fillim të afërmit, mandej edhe ekspertë të policisë, kanë konstatuar se në trupin e të mbyturit nuk kishte shenja dhune. Dyshohet se Nezhdetin e ka çuar dëshpërimi që po përjetonte prej një viti nga divorci që kishte pasur me bashkëshorten. Larg saj dhe fëmijëve, ai ndihej i humbur. Në këto rrethana, siç duket vendosi t'i japë fund jetës. Të afërm e bashkëfshatarë për uniformat blu kanë bërë të ditur se Nezhdeti nuk vuante nga ndonjë sëmundje mendore, si dhe nuk ka pasur konflikte me ndonjë person në fshat dhe se ai e ka marrë vendimin e vetëvarjes në momente dëshpërimi. Ndërsa një grua nga Maqellara e Dibrës i ka dhënë fund tragjikisht jetës, duke u hedhur në ujërat e lumit Drin i Zi. Pasditen e së enjtes, familjarët e 45-vjeçares Tefta Asllani, nga fshati Burim, kishin njoftuar policinë e Peshkopisë se ajo ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kishin informacion ku ndodhej. Një ditë më vonë, banorë të fshatit Ushtelenxë, komuna Tomin, kanë gjetur një kufomë gruaje që lundronte në ujërat e lumit Drin i Zi, në afërsi të fshatit të tyre. j.gj/h.p