E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zgjedhje sipas standardeve, pjekuri politike"

 

Zv.presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, deklaroi dje se vëmendja e Komisionit Evropian për Shqipërinë është përqendruar te zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në takimin që pati me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, Barrot i cili është përgjegjës edhe për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në Bashkimin Evropian theksoi se, "zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve është momenti për të dëshmuar pjekuri demokratike", thuhet në njoftimin që Ministria e Brendshme ka shpërndarë për mediat. Zv.presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, thuhet në njoftim ka inkurajuar luftën kundër të gjitha formave të krimit, rezultatet e të cilave do të çojnë në liberalizimin e vizave. "Ju keni një rol historik zoti ministër, sepse puna juaj ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë, të një Shqipërie që po ndryshon. Konstatoj me kënaqësi se keni kryer një punë të madhe, keni rezultate pozitive dhe i keni gjërat në dorë. Nga ana tjetër rezultatet tuaja përbëjnë edhe argumente të rëndësishme për të mbërritur tek heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Është e rëndësishme gjithashtu t'u shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për t'i futur në Europë", u shpreh Barrot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›