E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi Gramozi-Skënderbeu mbyllet barazim, Laçi OK

 

Janë luajtur dje ndeshjet e javës së 28-të të Kategorisë së Parë. Derbi juglindor Gramozi-Skënderbeu u mbyll në barazim 1-1. Të parët kanë qenë kolonjarët që gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 19-të me autor Shaqirin. Të besuarit e teknikut Qirjako i mbyllin 45 minutat e para në avantazh. Korçarët nuk pajtohen me këtë rezultat dhe do të vinte minuta e 71 ku Tiko do të barazojë shifrat në 1-1. Një fitore të rëndësishme arriti në javën e 28-të edhe skuadra e Laçit në transfertë ndaj Besëlidhjes. Për kryesuesit e Kategorisë së Parë do të mjaftonte goli i Ivanajt që në minutën e katërt. Laçi u ngjit tashmë në kuotën e 62 pikëve. Me hapin e kryesuesve ka ecur edhe Kastrioti, i cili mundi me lehtësi 3-0, Naftëtarin në fushën e kësaj të fundit. Për krutanët gjithçka u vulos në fraksionin e dytë. Golin e parë për miqtë nga Kruja do ta shënonte Roshi nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 64-t. Dopieta e Osujit në ekstremin e krejt takimit do të thellonte më shumë krizën kuçovare. Kastrioti e sheh veten tashmë në vend të tretë por me pikë të barabarta me Skënderbeun. Ndërsa Naftëtari renditet në fundin e tabelës në kuotën e 17 pikëve. Ekipi i Adës mundi me rezultatin e thellë 6-0 Skraparin. Ende pa filluar mirë loja dhe Hajdari do të çelte i pari serinë e golave. Pas tre minutave Nika do të bënte ‘bis’ në portën kundërshtare, i cili nuk do të gabonte edhe në minutën e 30-të. Pas dy minutash është Nika që do të gjejë golin e katërt. Hajdari do të bëhet sërish protagonist, në minutën e 47-të. Tre minuta nga fundi i ndeshjes Nika do të shënojë edhe golin e 6-të. Takimi tjetër i rëndësishëm ai mes Turbinës dhe Dajtit u mbyll 2-0 në favor të vendasve. Dy gola e Turbinës në pjesën e dytë mbajtën firmën e Kocit dhe Sadikut. Takimet e tjera Sopoti-Bilisht Sporti dhe Luftëtari-Burreli u mbyllën me rezultatet respektive 4-1 dhe 1-0.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›