E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karl Bildt dhe Veriu i Kosovës

TIRANE- Në kulmin e tensioneve në Veri të Kosovës, nga Brukseli u bë e ditur se ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt i kishte dërguar një letër përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Ketrin Eshton dhe komisionerit të BE-së për zgjerimin, Stefan Fyle, me një propozim të ri për zgjidhjen e çështjes së Veriut të Kosovës. Agjencia italiane ANSA njoftonte më 28 nëntor se zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Peter Stano konfirmoi se letra ka mbërritur në zyrën e komisionerit, por ai nuk zbuloi detajet dhe as nëse Komisioni Europian ka formuluar një qëndrim lidhur me propozimin e ministrit të Jashtëm suedez. Duke qenë se propozimi vjen nga një ministër i Jashtëm, që njihet si një nga personalitetet më të shquara të diplomacisë europiane dhe një nga ekspertët më të mëdhenj të saj për Ballkanin, i cili ka qenë kryeministër i Suedisë në vitet 1991-1994, i dërguar i posaçëm i BE-së për ish- Jugosllavinë, bashkëkryetar i Konferencës së Paqes në Dejton për konfliktin në Bosnjë-Hercegovinë, dhe nga viti 1999-të deri në vitin 2001, i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Ballkanin, është e kuptueshme se ai meriton vëmendje shqyrtimi nga të gjitha palët e interesuara direkt ose indirekt për çështjen e Veriut të Kosovës. Kjo bëhet edhe më e nevojshme, sepse propozimi i tij është bërë objekt diskutimi në qarqet diplomatike europiane dhe mund të gjejë hapësirë ndikimi në disa shtete apo diplomaci të vendeve anëtare të BE-së, dhe sepse ka një mundësi që propozimi apo disa ide të tij të bëhen pjesë e një platforme të re të BE-së për zgjidhjen e krizës së Veriut të Kosovës. Në diplomaci, efikasiteti i propozimeve varet jo vetëm nga karakteri i qëlluar i ideve që përmban, por sidomos nga dimensioni dhe reputacioni i diplomatit apo i shtetit që i paraqet dhe aftësia e tij për t'u dëgjuar dhe për t'u marrë në konsideratë. Në këtë drejtim, edhe propozimi i ri i Karl Bildtit duhet parë dhe prognozifikuar për efektin që mund të ketë në politikën ballkanike të BE-së, për t'i dalë përpara ndonjë të papriture dhe për të formuluar një qëndrim të qartë, përpara se ai të bëhet propozim apo projekt diplomatik i BE. Sepse po arriti në atë pikë, do të jetë shumë më e vështirë për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë për t'u ballafaquar me situatat e reja diplomatike, që mund të sjellë propozimi i Karl Bildtit. Është paraqitur qëndrimi i qeverisë së Prishtinës, e cila nëpërmjet kryeministrit Hashim Thaçi deklaroi se ideja e Karl Bildtit është krejtësisht e papranueshme për Kosovën dhe e pazbatueshme. Është paraqitur edhe qëndrimi i qeverisë së Beogradit, e cila nëpërmjet zv/ kryeministrit Bozhidar Deliç deklaroi se propozimi i Karl Bildtit për Veriun e Kosovës është hap në drejtimin e duhur, se është në interes të Serbisë dhe ideja e Karl Bildit është njëri nga elementët e fjalimit të presidentit serb Boris Tadiç në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator të këtij viti. Ministri i jashtëm suedez duhet të jetë nisur nga synimi për t'i dhënë fund një tensioni, të cilin ai e pa vetë gjatë vizitave që zhvilloi në fillim të nëntorit në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, dhe i cili ka të gjitha shenjat se mund të kthehet në një konflikt të ngrirë në zemër të Ballkanit. Thelbi i propozimit të tij është që çështja e Veriut të Kosovës duhet të ndahet nga procesi i bisedimeve teknike që po zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së, që nga 8 marsi i këtij viti në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës. Më konkretisht, ai propozon organizimin e bisedimeve paralele, një palë bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësinë e BE-së, (këto që po zhvillohen), dhe një palë bisedime mes Bashkimit Europian dhe Kosovës për çështjen e Veriut të Kosovës, dhe pikërisht kjo përbën elementin apo drejtimin e ri të trajtimit të çështjes, që sugjeron shefi i diplomacisë suedeze. Duhet thënë që në fillim se Karl Bildt i përmbahet dhe e përsërit kushtin europian dhe ndërkombëtar, të njohur që nga koha e takimeve të Grupit të Kontaktit për Kosovën në vitin 2005-së, se Kosova nuk duhet të ndahet. Ky impostim është i rëndësishëm në një kohë kur Serbia dhe pionët e saj në Veri të Kosovës po bëjnë gjithçka për të ngritur tensionet deri në shkallën që BE të nisë të mendojë se nuk mbetet zgjidhje tjetër veçse ndarja e Veriut nga Kosova. Propozimi i Karl Bildtit e përjashton këtë. Por ai i mëshon shumë nevojë së një qëndrimi të ri të BE ndaj çështjes së komunitetit serb në Veri të Kosovës, duke kërkuar një trajtim më të mirë nga BE. Sipas informacioneve në rrugë diplomatike, ky trajtim më i mirë duhet të jetë maksimalizimi i shkallës së autonomisë së serbëve të Veriut të Kosovës. Ministri i jashtëm i Francës, Zhan Leoneti, deklaroi më 1 dhjetor, pas bisedimeve me zv/kryeministrin e Serbisë, Bozhidar Deliç, se Franca nuk e ka vendosur ende qëndrimin e saj për idenë e Karl Bildtit për të filluar bisedime për statusin e Veriut të Kosovës, por ajo e mbështet një autonomi të gjerë për Veriun e Kosovës. Ministri i jashtëm francez evidenton kështu thelbin e propozimit të ministrit të Jashtëm suedez dhe të takimeve e debateve që po zhvillohen në prapaskenat diplomatike, të nxitura nga Serbia dhe aleatë të saj brenda BE-së. Thelbi është statusi i Veriut të Kosovës. I analizuar në disa drejtime, propozimi për hapjen e bisedimeve të reja të posaçme të BE-së me Kosovën për statusin e serbëve të Veriut paraqet një sinoptikë jo qetësuese. Së pari, po niset të flitet në qarqe të larta shtetërore dhe diplomatike europiane për statusin e Veriut të Kosovës. Kjo kërkesë parashtrohet në një kohë kur pakica serbe në veri të Kosovës e ka statusin e privilegjuar të një pakice të privilegjuar, të sanksionuar në planin e Ahtisaarit, ku minoritetit serb, që përbën më pak se 10 për qind të popullsisë së Kosovës, i është dhënë e drejta e administrimit në një territor më shumë se 20 për qind e gjithë Kosovës. Flitet për status, në një kohë kur serbët e Veriut të Kosovës e kanë bërë fakt të kryer një veçim zyrtar dhe administrativ nëpërmjet ngritjes dhe organizimit të strukturave dhe organeve paralele, të cilat varen dhe financohen direkt nga Beogradi. Së dyti, organizimi i bisedimeve të posaçme të BE me Kosovën për statusin e serbëve të veriut, do të thotë pranimi dhe inkurajimi i një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të Serbisë në plan administrativ dhe territorial në shtetet e tjera fqinje. Serbia ka pakica problematike të saj në Kroaci, në Bosnje, në Kosovë dhe në Maqedoni dhe duhet pritur një reaksion zinxhir i kërkesave serbe për "statuset e posaçme" të pakicave të saj në shtetet fqinje. Përvoja e hidhur e "Serpska Republikës" në Bosnje ka treguar sa shpejt kalohet nga statuset e "autonomive të posaçme" në kërkesat për bashkimin me Serbinë dhe kështu mund të lindin "Transdniestra" dhe "Nagorni-Karabakë" në mes të Ballkanit. Së treti, hapja e statusit të Veriut të Kosovës mund të bëhet prelud i hapjes së bisedimeve për statusin e vetë Kosovës. Sepse, qoftë Serbia bashkë me serbët e Kosovës, qoftë Rusia dhe Kina, do të përdorin teorinë e precedentit të Veriut, për të kërkuar që çështja e diskutimit të statusit, nga një pjesë e territorit të Kosovës, të shtrihet në gjithë territorin e saj. Së katërti, organizimi i bisedimeve të tilla nuk jep shpresë se do ta qetësojë situatën në mesin e pakicës serbe që jeton poshtë lumit Ibër, në pjesë të tjera të Kosovës, por sidomos do të ngrejë tensionet në mesin e popullit shqiptar të Kosovës, i cili vështirë të pajtohet me shpërblimin e atyre që provokojnë trazira dhe konflikte. Së pesti, nëse hapen bisedime të kësaj natyre, mund të krijohet në krejt Ballkanin sindroma e Mitrovicës. Sepse fare mirë mund të ngrihen shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë në një numër tre-katër herë më të madh se sa serbët e Veriut të Kosovës, dhe nën shembullin e serbëve të Kosovës, të kërkojnë autonominë e tyre politike dhe territoriale, të votuar me referendum popullor qysh para 20 vjetësh. Mund të inkurajojë edhe boshnjakët e Sanxhakut, të cilët janë disa herë më shumë se sa serbët e Veriut të Kosovës, dhe ndjehen më të afërt me Bosnjen se sa me Serbinë, për të kërkuar autonominë e tyre, për të cilën kanë votuar para 20 vjetësh. BE nuk ka argumente t'u mohojë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe boshnjakëve të Sanxhakut, atë të cilën mund të mendojë t'ua japë serbëve të Veriut të Kosovës. Së gjashti, koha e zgjedhur për hedhjen e këtyre ideve nuk duket e përshtatshme, sepse pikërisht tani bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, po japin një farë rezultati dhe një kompromis pozitiv, siç është marrëveshja e arritur në Bruksel më 2 dhjetor, për menaxhimin e integruar të kufijve. Devijimi i problematikës së bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës mund ta dëmtonte mbarëvajtjen e procesit dhe të rriste intransigjencën e Serbisë. Së shtati, organizimi i bisedimeve paralele do të certifikonte dobësinë e BE-së në menaxhimin e krizave në Ballkan dhe do të dëshmonte një tërheqje të saj përpara shantazhit që vjen nga Beogradi dhe lojtarët e tij lokalë në Veri të Kosovës. E fundit dhe më kryesorja, kriza në Veri të Kosovës është shkaktuar nga Serbia dhe është çështje mes Serbisë dhe Kosovës, dhe jo mes Kosovës dhe pakicës serbe atje. Ndaj ideja e organizimit të bisedimeve të reja, të veçanta, mes BE-së dhe Kosovës për çështjen e veriut të saj, nuk duket se është alternativa e zgjidhjes së krizës dhe të tensioneve në Veriun e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›