Fituesja, një grua e veçantë, me aftësi të kufizuara
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe muajit të Historisë së Gruas, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka riemëruar çmimin e saj vjetor për Gratë e Guximshme. Ky çmim vlerëson gratë, përkushtimi dhe puna e jashtëzakonshme e të cilave ka sjellë përfitime të ndjeshme për shqiptarët, në nder të heroinës shqiptare Musine Kokalari. Refuzimi i saj për të bërë kompromis mbi parimet e saj demokratike, edhe pse e përballur me represionin e ashpër, e bën atë një model frymëzues për njerëzit kudo, dhe sidomos për femrat që kërkojnë drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Këtë vit çmimi do t’i jepet Bardhylka Kospirit, drejtoreshë ligjore e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Paaftësisë. Ajo është një eksperte në fushën e aksesit për njerëzit me aftësi të kufizuara, dhe një kontribuuese kyçe në formulimin e rregullave mbi to. Kospiri është e njohur si pioniere e trajtimit të çështjeve mbi aftësitë e kufizuara, duke u bazuar te të drejtat e njeriut dhe një avokate për të drejtat e njeriut të shqiptarëve me aftësi të kufizuara.
Kospiri dhe Fondacioni Shqiptar i të Drejtave të Paaftësisë janë udhëheqës në avokatinë, lobimin, përshtatjen dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit që kanë lidhje me aftësitë e kufizuara.