Turqia ndërton centralin e parë bërthamor
Ministri turk i energjetikës ka bërë të ditur se Turqia do të fillojë ndërtimin e centralit të parë bërthamor në Detin e Mesdheut. Hilmi Gyler, në një intervistë për mediat turke, është shprehur se centrali i parë bërthamor do të ndërtohet në rajonin Ak Kuju, në afërsi të bregdetit të Detit Mesdhe. Gyler ka shtuar se për ndërtimin e disa centraleve bërthamore në vend, qeveria ka ndarë tre miliardë dollarë. Qeveria e Turqisë për të tejkaluar mungesën e energjisë elektrike ka vendosur të ndërtojë disa centrale bërthamore.
Gjatë vitit 2007 u vranë 86 gazetarë
Organizata Ndërkombëtare për Gjendjen e Shtypit në botë thotë se Iraku ishte vendi ku janë vrarë më shumë gazetarë gjatë vitit 2007, ndërsa Kina ishte vendi që ka burgosur një numër më të madh gazetarësh. “Gazetarët pa kufi” thotë se gjatë vitit 2007 u vranë të paktën 86 gazetarë në mbarë botën dhe më tepër se gjysma e tyre, 47 veta, u vranë në Irak. Kina ka qenë burgu më i madh për gazetarët gjatë 2007-s, ku që nga muaji janar mbahen ende në burg 33 gazetarë. Organizata me qendër në Paris thotë se më 2007-n u burgosën gjithsej rreth 900 gazetarë.
Rajs, thirrje Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së emrit
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, ka kërkuar nga Maqedonia që ta zgjidhë mospajtimin me Greqinë lidhur me emrin.
Departamenti i Shtetit njoftoi se Rajs i ka thënë ministrit të Jashtëm, Antonio Miloshoski, se Maqedonia duhet ta përdorë ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara për të gjetur zgjidhje për këtë problem që ekziston prej kohësh. Rajs planifikon që këtë mesazh këtë javë t’ia dërgojë edhe ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis.
Në Kopenhagen publikohen karikatura të profetit Muhamed
Njëmbëdhjetë gazeta daneze publikuan dje karikaturat kontraverse të profetit Muhamed, një ditë pasi policia tha se ka zbuluar një komplot për vrasjen e autorit të vizatimeve. Botuesit thanë se kjo synon mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Vizatimi e tregon profetin Muhamed me turban në kokë dhe të ulur në një bombë me fitil të ndezur. Ky është vetëm njëri nga 12 vizatimet e botuara në vitin 2005 që nga shumë myslimanë u konsideruan ofenduese.
Australi, indigjenët pranojnë faljet e kryeministrit
Banorët indigjenë të Australisë kanë pranuar faljen formale të kryeministrit Kevin Rud për vuajtjet që australianët e bardhë u kanë shkaktuar këtyre banorëve gjatë më shumë se dy shekujve të vendosjes së europianëve. Falja veçanërisht u është drejtuar atyre gjeneratave të aborigjenëve, të cilët, në bazë të politikave qeveritare, forcërisht u morën nga familjet e tyre për t’u asimiluar duke u rritur në mesin e të bardhëve.
14 Shkurt 2008