Planet e Sarkozisë për Bashkimin Mesdhetar turbullojnë BE-në
Në vitin 1995 u themelua i ashtuquajturi partneritet euro-mesdhetar, i njohur edhe si proces i Barcelonës. I frymëzuar nga sukseset e atëhershme në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, marrëveshjet e Oslos ishin nënshkruar vetëm dy vjet më parë, BE-ja së bashku me fqinjët e arabë në jug të hapësirës së Mesdheut synoi të krijojë një hapësirë të përbashkët paqeje, stabiliteti dhe mirëqenieje të përbashkët. Ndërkohë, procesi i Barcelonës ka dështuar, politika e Mesdheut e BE-së duhet rimenduar. Përsa i përket analizës, të gjithë janë të të njëjtit mendim se për rrugën ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Planet e Sarkozisë për një bashkim mesdhetar kërcënojnë që ta ngecin në vend motorin gjermano-francez. Një takim me shtetet fqinjë me zonën e Mesdheut plus Portugalinë, Mauritaninë dhe Jordaninë, është i sigurt që do të mbahet më 13 korrik në Paris. Plani për një organizatë me shumë institucione të vetat ndodhet në sirtarët e “Elizesë”. Në fund të fundit, presidenti i Francës do të mbajë atë që ka premtuar, të matet me rezultate. “Të gjithë popujve të Mesdheut ua drejtoj këtë apel. U them se në Mesdhe vendoset gjithçka. Ne duhet të kapërcejmë të gjithë urrejtjen për të lënë vend për një ëndërr të madhe të paqes dhe kulturës. Ka ardhur koha për të ngritur një Bashkim të Mesdheut, si gjymtyrë lidhëse midis Europës dhe Afrikës”, - ka theksuar Sarkozi. Bashkëpunim ekonomik dhe shkencor, strategji të përbashkëta në politikën e qarkullimit, ambjentit dhe të energjisë, nga pikëpamja e Francës, natyrisht edhe në përdorimin e energjisë bërthamore, marrëveshje për kontrollimin e rrymave të refugjatëve dhe një fond ose një bankë për financimin e projekteve të caktuara. Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel synojnë që Turqisë t’i japin një partneritet të privilegjuar, në vend të një anëtarësimi të plotë, Bashkimi i Mesdheut do të ishte një vend ideal absorbimi. Prandaj Merkel e mbështeti pak kohë më parë në kongresin europian të partisë në pushtet në Francë shprehimisht këtë ide, por paralajmëroi: “Nuk duhet të ndodhë që disa janë përgjegjës për Mesdheun, të tjerë të jenë përgjegjës për Ukrainën dhe diku midis Gjermanisë dhe Francës të kalojë kufiri, si të thuash: të gjithë përkujdesen ndonjëherë për diçka”. Të veprohet në plan gjitheuropian, të mos përjashtohet askush, - kërkoi kancelarja Merkel në dhjetor në takimin në Pallatin Elize. Ndërkohë, po përvijohet rezistencë. Për bashkësi dhe koordinim gjermano-francez nuk vërehet gjëkundi, - thonë diplomatët nën zë. Por duket se Sarkozi është i interesuar ta zbatojë planin e tij.
14 Shkurt 2008