BE-ja studion deklaratën për pavarësi më 18 shkurt
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, ka kërkuar nga Bashkimi Europian një qëndrim të përbashkët për njohjen e Kosovës nëse ajo shpall pavarësinë. ”Është koha për të marrë një vendim nga BE-ja”, - është shprehur Kushner. Ai ka shtuar se duhet parë se çdo të ndodhë të hënën. Sipas tij, më 18 shkurt në Bruksel takohet Këshilli për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Europian për të studiuar deklaratën për pavarësi, që do të paraqitet nga institucionet e Kosovës. Ndërsa ministri i spanjoll i Mbrojtjes, Jose Antonio Alonso, ka deklaruar se Spanja nuk e mirëpret pavarësinë e Kosovës. “Qeveria e Spanjës nuk e mirëpret shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, - ka thënë Alonso, duke kërkuar unitet europian për këtë çështje. “Ne nuk mund të hedhim poshtë përpjekjet për paqe dhe stabilitet, që po ndërmerren aktualisht në Ballkan”, - është shprehur ai. Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë deklaruar se nuk mund ta bëjnë publike datën e pavarësisë, sepse ajo do të bëhet në koordinim me SHB-të dhe BE-në. Kjo deklaratë ka ardhur nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti. Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk ka pohuar nëse 17 shkurti do të jetë data kur Kuvendi do ta shpallë pavarësisë, por përsëriti se ky vendim, gjithsesi, do të merret në muajin shkurt. “Ne kemi seancën e punës, pastaj festa. Ne nuk e kemi thënë ditën dhe së shpejti presim të mbahet seanca, të cilën po e presim të gjithë. Natyrisht ne që kemi përgjegjësinë, jemi të obliguar dhe kemi përgjegjësi shtesë”, - ka theksuar Krasniqi. Më i drejtpërdrejtë ka qenë anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, i cili është shprehur se institucionet e Kosovës nuk janë në gjendje që ta shpallin pavarësinë pa koordinim me SHBA-të dhe BE-në. "Institucionet e Kosovës nuk janë të zotët dhe nuk kanë kompetencë që ta shpallin ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo është e vërtetë, sepse është një ditë që shpallet në mënyrë të koordinuar në bashkëvendosje”, - ka theksuar ai.
14 Shkurt 2008