Karlo Ançeloti, i vetëm drejt Çelsit
Karlo Ançeloti do të udhëtojë i vetëm drejt Çelsit. Ultimatumi i drejtuesve të klubit londinez është i qartë: do të vish pa stafin teknik, duhet të punosh me ndihmësit që ndodhen këtu. Trajneri, që duket pranë largimit nga Milani, kishte planifikuar të "tërhiqte" në aventurën e re edhe Mauro Tasotin e Filipo Galin. Pra, blutë nuk do të përsërisin "gabimin" si me Luis Felipe Skolarin, që zbarkoi në "Stemford Brixh" i shoqëruar nga grupi i tij i asistentëve. Kur ish-trajneri i Brazilit dhe Portugalisë u largua, të njëjtin fat pësoi edhe stafi i tij. Një tjetër kërkesë që i është bërë Ançelotit është të përshpejtojë ritmet në mësimin e gjuhës angleze, sepse ai duhet të flasë drejtpërdrejtë me lojtarët, për të shmangur problemet me komunikimin, që u hasën gjatë aventurës së shkurtër të Skolarit. Marrëveshja është arritur: Ançeloti do të përfitojë kontratë 3-vjeçare, me 5.6 milionë euro rrogë në sezon. Megjithatë mbeten për t‘u diskutuar disa detaje, ku të paktën në javët e para, Ançeloti do të mbështetet te ndihma e Rei Uilkins, që sipas "Daily Express" do të jetë krahu i djathtë i italianit 50-vjeçar. Prezantimi i italianit në stolin e Çelsit pritet të bëhet më 1 qershor, madje kanali i klubit e ka përcaktuar në program zyrtarizimin e trajnerit. Ndërkohë, në mediat britanike Devid Bekham ka paralajmëruar lojtarët e bluve për karakterin e Ançelotit. Kur vjen puna për të kritikuar lojtarët që nuk paraqiten mirë, trajneri kuqezi reagon njësoj si Sër Aleks Ferguson. "Ai ka shumë prezencë dhe është mjaft karizmatik. Këto atribute i kanë të gjithë trajnerët e mëdhenj", deklaroi Bekham. "Megjithatë është edhe ana tjetër e Ançelotit. Personalisht nuk i kam provuar asnjëherë kritikat e tij, më ka mjaftuar që i kam parë kur u ndodhte të tjerëve". I ndodhur në Londër për prezantimin e fushatës për Botërorin 2018, mesfushori anglez shtoi: "Për mua ishte privilegj që luajta nën urdhrat e një trajneri kaq brilant, por më vjen keq që së bashku punuam vetëm pak kohë".