E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Liverpulit, edhe Arsenali kërkon shërbimin e Lorik Canës

Lorik Cana shndërrohet në objekt dëshirash për disa nga klubet më të njohura të "Premier League". Pas Liverpulit, tashmë edhe Arsenali është rikthyer sërish në kërkim të mesfushorit shqiptar të Olimpikut të Marsejës. Lajmi është bërë i njohur dje nga "Bleacherreport.com". Sipas kësaj faqeje sportive, Arsenali e ka kërkuar Lorikun edhe para një viti (në verën e 2008), pas largimit të mesfushorëve Matju Flamin (drejt Milanit) dhe Aleksander Hleb (drejt Barcelonës). Objektivi i parë i anglezes para fillimit të këtij sezoni ishte Alonso, që rezultoi një tentativë e dështuar. Venger e dinte mirë se i duhej patjetër një mesfushor me tipare mbrojtëse, prandaj ai ktheu sytë nga Cana. Por edhe kjo pistë nuk u realizua. Ikja e Aleksandër Hleb dhe e Matju Flamini hapi dy vrima të mëdha në mesfushën e Arsenalit. Njëri nga këto boshllëqe u mbush verën e kaluar me blerjen e mesfushorit të talentuar francez, Samir Nasri. Ndërsa Arsen Venger u përpoq është mbushë edhe vrimën e dytë, mungesën e një mesfushori shkatërrues. Për këtë arsye ai bëri dy blerje të tjera, Neves Denilson dhe Aleksandër Song. Megjithëse Denilson e Song bënë një punë të mirë në këtë pozicion, ata nuk janë një zgjidhje përfundimtare për Arsenalin. "Topçinjve" u duhet një lojtar me përvojë, i cili mund të fitojë topa në mesfushë dhe të çojë ato me destinacion Çesk Fabregas, që do të bëjë më pas edhe administrimin e lojës. Kandidatët e mundshëm për këtë post janë Lorik Cana, Xheremi Toulalan dhe Goekhan Inler, të cilët janë të gjithë emra jo të panjohur, të përfolur si pjesë e listës së blerjeve të Venger. Ndërkohë që specialistët anglezë janë të mendimit se në këtë treshe zgjedhja më e mirë do të ishte shqiptari 25-vjeçar i Marsejës, të cilit nuk i mungon eksperienca. Ai është shumë luftarak në duelet për të fituar topin, por gjithashtu ka aftësi të mira edhe në luftën në ajër, që gjë do t‘i bënte shumë punë Arsenalit. Pas dështimit të mundshëm të Marsejës në luftën për titull, largimi i Canës nga kjo skuadër është thuajse i sigurt. Një hap përpara Arsenalit duket se është Liverpuli, i cili ka nisur më herët sondazhin për t‘iu afruar shqiptarit. Por kjo tratativë e "Reds"-ave varet nga shitja ose e jo e Ksabi Alonsos në këtë verë. Po ashtu, emri i Canës është edhe në listën e Bajernit të Mynihut. Gjithsesi, vetë mesfushori ka shprehur se nëse në fund të këtij sezoni do të largohet, Gjermania dhe Anglia do të ishin dy destinacionet e preferuar të tij. Ditët e ardhshme do të hedhin më shumë dritë rreth të ardhmes të Lorikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›